Pekini ka hapur dyert për pjesëmarrësit në Lojërat Olimpike Dimërore. Shqipëria në këtë garë botërore të sporteve të bardha do të përfaqësohet nga 18 vjeçari Denni Xhepa, i cili do të garojë në sllallom dhe sllallom gjigant.
Ai është përzgjedhur përgjatë Kampionatit Kombëtar të Skive, të zhvilluar në Alpet e Italisë.
Sipas traditës olimpike edhe Tirana zhvilloi ceremoninë e dorëzimit të flamurit delegacionit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore, në Pekin.
Deni Xhepa do të jetë flamurmbajtësi i delegacionit olimpik kuqezi në ceremoninë e hapjes.
Në një ceremoni në Tiranë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dorëzoi flamurin olimpik për delegacionin shqiptar, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Ajo premtoi mbështetje për sportin.
“Sporti i bën njerëzit bashkë me paqe, harmoni, si një familje e madhe. Sportistët e rinj medalistë për ne kanë një vlerë të veçantë.
Sot shpreh mbështetjen personale dhe institucionale për sportin dhe sportistët e rinj.Ka nevojë emergjente për më shumë investime, sidomos në infrastrukturën sportive. Veçanërisht në sportin e skive investimet në pista skish, jo vetëm ndihmojnë zhvillimin e këtij sporti, por dhe të turizmit”, u shpreh ministrja Kushi.
Ndër të tjera ajo shtoi se edhe pse e ka të pamundur të jetë pjesëmarrëse në Kinë e këtyre Lojërave, ndjehet krenare dhe ka besim se sportistët atje do të ngrenë flamurin shqiptar, duke na bërë krenarë.
Ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding duke vlerësuar përfaqësimin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike në Pekin, theksoi se kjo Olimpiadë përkon me Vitin e ri kinez, që sivjet është viti i Tigrit.
“Shqipëria gjithmonë ka qenë një pjesëmarrëse aktive në Lojërat Olimpike dhe promovuese e shpirtit olimpik. Pres me padurim që delegacioni të arrijë rezultate të mira, duke u bërë ambasador i miqësisë.
Mbajtja e Lojërave olimpike dimërore është manifestim i Kinës i përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare. Në 6 vitet e fundit Kina ka ndjekur konceptin “të gjelbra, gjithëpërfshirëse, të hapura dhe të pastra “për të përgatitur Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Kemi besim të plotë t’i ofrojmë botës një olimpiadë të efektshme, të sigurtë dhe të shkëlqyer.Viti i ri kinez po vjen. Në kulturën tonë tigri simbolizon guxim dhe forcë. Le të frymëzohemi nga shpirti “më shpejt, më lart, më fort së bashku” për të mposhtur të gjitha vështirësitë që kemi përpara. Së bashku për një të ardhme të përbashkët”, tha kryediplomati kinez në Tiranë.
Ndërsa për kryetarin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, është shumë e rëndësishme pjesëmarrja në të gjitha edicionet e Lojërave Olimpike.
“Ndodhemi në prag të festimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, ndonëse në mes kufizimesh të shumta. Pavarësisht kufizimeve, KOKSH është gati të përfaqësohet me vlerat më të mira në këto Lojëra me sportistin e ri Denni Xhepa, të disiplinës ski alpine. Ndonëse mund të konsiderohemi një ekip i vogël, ai është vlerë, me anë të të cilit Shqipëria dhe KOKSH do të përfaqësojnë më të mirën”, tha kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ka bërë të qartë prioritetin për sportin dhe për aktivitetet sportive, duke theksuar se këtë vit Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë.“ I dashur Denni, ti do të jesh ambasador i Shqipërisë në Kinë në këto Lojëra. Do të jesh personifikim i asaj që ky vend investon në sport”, tha Seferi.
Presidenti i Federatës së Skive Elvis Toçi në këtë ceremoni vlerësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit.
“Është një moment që skija shqiptare po i sjell fame Shqipërisë sonë të vogël. Ky lloj sporti mund të bëhet sporti i së ardhmes së shqiptarëve, sepse është turizëm, industri dhe do të sjellë në Shqipëri mjaft të ardhura”, tha Toçi.
Përgatitjet e Kinës për Lojërat Olimpike Dimërore janë vlerësuar nga kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar Fidel Ylli në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës.
Kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar Fidel Ylli në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës
“Jam i bindur te serioziteti i qeverisë kineze, që do të jenë Lojërat më të mira në botë për sa i përket mënyrës së organizimit”, theksoi kryetari i KOKSH-it.Vetë skiatori Denni Xhepa, i lindur dhe rritur në Itali po pret me shumë emocion garimin në Olimpiadën e Pekinit.
“Është një ngjarje e jashtëzakonshme. Jam vetëm 18 vjeç dhe po shkoj në Olimpiadë, ky është eventi më i madh për një sportist, për një skiator, dhe mezi po pres që të shkoj në Kinë”, u shpreh ai.
Sipas raportit botëror për turizmin dimëror dhe malor, Shqipëria, edhe pse ka 70% të territorit malor, nuk është e njohur si destinacion skish dhe i vetmi teleferik është instaluar vetëm në vitin 2012. Edhe numri i personave që bëjnë ski për sport apo për pasion është i vogël. Shqiptarët e apasionuar pas skive e ushtrojnë këtë sport në resortet në vendet fqinjë
.Ndryshe nga fqinjët, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi në Shqipëri mungojnë restortet e dedikuara për turizëm malor dhe pistat moderne të skive. E vetmja pistë modeste skish funksionale 700 metra e gjatë ndodhet në Bigëll të Boboshticës, në Korçë, e krijuar me nismë private.
Dëshira dhe përkushtim, i ndërthurur me punën me siguri do të masivizojnë sportet dimërore në Shqipëri, për të shënuar një faqe të re dhe në përfaqësimin rajonal e ndërkombëtar në këto sporte. Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit janë një hap i rëndësishëm në ngritjen e sporteve dimërore shqiptare në piedestalin e merituar.
Fotogaleri, pamje të ceremonisë së dorëzimit të flamurit kombëtar ??, delegacionit zyrtar të Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Pekin 2022” dhe sportistit Denni Xhepa/noa.al
Flet ministri Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...