Shqipëria luan sonte me këtë formacion ndaj Maqedonisë

09:30 | 5 Shtator 2017
Arbresh.info

Armando Sadiku rikthehet në momentin e duhur për të tentuar golin e 10-të me fanellën kuqezi.

Shqipëria luan sot për rekord ndaj Maqedonisë. Nuk është thjesht një ndeshje, ku kuqezinjtë mund të vulosin vendin e tretë në grup, por gjithashtu një takim për të thyer disa tabu.

Së pari, në rast triumfi në Maqedoni, për herë të parë kuqezinjtë do të shkonin në shifrën e 5 fitoreve në grup, duke grumbulluar 15 pikë pa u mbyllur ende edicioni (mbeten edhe ndeshjet me Spanjën dhe Italinë).

Së dyti, triumfi i sotëm do të shënonte një rekord për historinë e trajnerëve kuqezi, pasi askush, sapo ka marrë drejtimin e Kombëtares, nuk ka arritur dy fitore radhazi në një grup eliminator.

Së treti, do të quhej rekord edhe për faktin se asnjëherë Shqipëria në përballjet me Maqedoninë nuk ka arritur të fitojë në transfertë.

Një 90- minutësh që merr shumë rëndësi, jo vetëm për faktin se luajmë ndaj një fqinji që kemi bilanc negativ, por edhe për të blinduar vendin e tretë, në një grup “ferri” me dy Kombëtare që janë shpallur kampione bote si Spanja dhe Italia.

TITULLARËT – Armando Sadiku rikthehet në momentin e duhur për të tentuar golin e 10-të me fanellën kuqezi. Sulmuesi do ta nisë sot nga minuta e parë, ndërsa dilemat e vetme të trajnerit kuqezi janë në mesfushë.

Në qendër të këtij reparti ka një balotazh mes Bashës dhe Kukelit, por me këtë të fundit favorit për ta nisur nga minuta e parë. Nga ana tjetër, në krahun e majtë pritet që Panuçi të zgjedhë një mes Grezdës dhe Llullakut. Gjasat janë që titullar të jetë ky i fundit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme