Mbrëmjen e kësaj të hëne, në orën 19:00, në “Elbasan Arena” të qytetit të Elbasanit, kuqezinjtë e Shqipërisë të drejtuar nga trajneri italian Christian Panucci do të përballen në një takim miqësor me Norvegjinë.
Një kundërshtar jo i panjohur për ekipin tonë kombëtar, edhe pse përballë njëri-tjetrit janë vendosur vetëm 4 herë. Një bilanc, i cili duket se ka një barazpeshë totale, me nga një fitore për secilën kombëtare, si dhe dy barazime.
Më konkretisht, sfida e parë zyrtare për një tur kualifikues ka qenë ajo e 14 tetorit të vitit 1988, kur Shqipërisë i duhej të udhëtonte drejt vendit nordik për t’u përballur me Norvegjinë, nën drejtimin asokohe të trajnerit Astrit Hafizi. Ndeshja do të përfundonte në barazim 2-2, me gola të shënuara nga Alban Bushi, sot trajner i Shpresave, dhe Igli Tare, sot drejtor sportiv i Lacios. Për nordikët do të shënonte Rekdal me penallti dhe Berg, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2000.
Në ndeshjen e kthimit të po atyre kualifikueseve, më 5 qershor të vitit 1999, Shqipëria do të humbiste në “Qemal Stafa” 1-2 përballë norvegjezëve. Igli Tare do të gjente rrugën e golit edhe në Tiranë, duke barazuar përkohësisht rezultatin pas golit të hershëm të shënuar nga Iversen, por në fund të takimit kuqezinjtë do të dorëzoheshin pas golit të Tore Andre Flo.
Për t’u përballur sërish midis tyre këto dy kombëtare do të duhej të pritej viti 2013, ose më saktë kualifikueset e Botërorit të 2014-s, në Brazil.
Më 22 mars 2013, pikërisht në Norvegji, Shqipëria do të arrinte edhe fitoren e vetme në këtë përballje kokë më kokë, me supergolin e shënuar nga Hamdi Salihi, nën drejtimin e Gianni de Biasit, raporton Tch. Vetëm pak muaj më pas, më 7 qershor të po atij viti, Norvegjia mund të ishte mposhtur sërish, pasi kuqezinjtë shënuan në pjesën e parë me anë të Valdet Ramës, por fati i keq i pësimit të golit në minutat e fundit do të na ndëshkonte sërish. Hogli do të shënonte për norvegjezët, duke mos lejuar Shqipërinë të kalonte me bilanc pozitiv nga kjo përballje direkte.
Tashmë nën drejtimin e një tjetër italiani, edhe pse jo një ndeshje zyrtare për Europian apo Botëror, Shqipëria e Norvegjia do të ndeshen sërish mes tyre, në një përballje që u shty disi në kohë, pasi norvegjezët “refuzuan” të luanin ndaj nesh në një datë të mëhershme për të cilën po negociohej mes dy federatave respektive. /arbresh.info/
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...
Ruben Amorim tregon mesazhin që i dha Mourinho pasi mori dre...
Zelensky: Po punojmë në zhvillimin e sistemeve të reja të mb...
Abdixhiku në QKMF-në e Prishtinës: Prezantova planin në shën...
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të...
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen