Pas një jave adrenalinë, brohoritje, humbje dhe fitore, FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll u kurorëzua me ekipet fituese. Kjo kupë u organizua nga
Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUNK), nën ombrellën e Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar (FISU),
Të dielën, në një atmosferë brilante, u shpallën kampionë të kësaj ngjarjeje botërore ekipi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kategorinë e meshkujve dhe ekipi i Universitetit Kombëtar Korean të Sporteve (KNSU), në kategorinë e femrave.
Medaljet e argjendta i takuan ekipit të Universitetit të Castillas – La Mancha, të Spanjës (UCLM), në kategorinë e meshkujve dhe ekipit të Universitetit Kombëtar Kangwon të Koreas, në kategorinë e femrave,
Vendet e treta në këtë kompeticion i fituan ekipi i Universitetit Prishtinës (F), të cilët mposhtën ekipin e Universitetit Palacký në Olomuc dhe ekipit të UCLM-së nga Spanja (M), të cilët fituan kundër Universitetit të Malit të Zi.
Organizimin e suksesshëm të kësaj Kupe e përshëndeti z. Musa Selimi, drejtor ekzekutiv i FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll. “Ëndrra jonë për këtë kupë ka nisur para dy vitesh. Ëndrra u bë realitet dhe gjatë këtyre shtatë ditëve patëm rastin, jo vetëm të jemi nikoqir të kësaj kupe, por të ia shfaqim botës kulturën, traditën dhe vlerat e popullit tonë” theksoi Selimi. Ai falënderoi partnerët, lojtarët, ekipin organizativ dhe vullnetarët që e bënë të mundur këtë ngjarje.
I lumtur për arritje u shpreh edhe u.d. presidenti i Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, z. Gani Ibrahimi. “Jemi te privilegjuar për besimin që na e ka dhënë Federata Ndërkombëtare e Sportit Universitar. Studentë, ndjehuni krenarë për lojën e shfaqur dhe vlerat që keni treguar” theksoi Ibrahimi.
FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll 2022 u mbyll me fjalimin e z. Gabriel Kotchofa, anëtar i bordit ekzekutiv të FISU. “Jam shumë i lumtur që ju na e keni dhuruar profesionalizmin tuaj si dhuratë, kulturën tuaj sportive, dëshirën për fitore dhe besimin në vetën dhe në kombin tuaj”, theksoi Kotchofa.
Gjatë ceremonisë u ndanë edhe medaljet për femrat:
Portierja më e mirë: Miriam Rodriguez – Madridejos, UCLM;
Golashënuesja më e mirë: Elisa Mulaj, UPHP;
Lojtarja më e mirë e Kupës u shpall Eunbeen JO, KNSU.
Ndërkaq, tek meshkujt:
Çmimi për portierin më të mirë i është ndarë studentit Arti Luzha nga UP-ja;
Çmimi për golashënuesin me të mirë e ka fituar studenti Kazım Emre Biçic, nga Universiteti i Gazi-t, Turqi;
Ndërkaq, lojtari më i mirë e Kupës u shpall studenti i Universitetit të Prishtinës, Drenit Tahirukaj.
Kupa Botërore Universitare në Hendboll solli në Kosovë 14 ekipe nga universitete të ndryshme botërore. Kjo ngjarje u përkrah nga: Qeveria e Kosovës,
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Hendbollit e Kosovës.
Kontribut të veçantë në këtë ngjarje dhanë edhe 120 studentët vullnetarë, të cilët u kujdesën që studentët atletë ta shijojnë këtë ngjarje dhe të ndjehen si në shtëpinë e tyre gjatë qëndrimit në Kosovë. /arbresh.info/
Shpërthimet në veri, Haradinaj: Organet e sigurisë të bashkë...
Përplasja e Xuxit me Kevinin shkaktoi momente të tensionuara...
Xuxi pyet Edin: “A i ke ra pishman që ke dal?” –Edi: “Pishma...
Hezbollahu e cilëson si “fitore hyjnore” armëpushimin me Izr...
Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, ndërpr...
Edi vjen në studion e Prime, Dini e ngacmon: “A pate ka me h...