Shaqiri: I lumtur që e fitova sërish këtë trofe

17:16 | 2 Qershor 2019
Arbresh.info

Xherdan Shaqiri është shpallur kampion i Evropës për të dytën herë në karrierë, pasi që skuadra e tij, Liverpooli, triumfoi ndaj Tottenhamit me rezultat 2:0 në finalen e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli u tregua shumë i fortë për rivalin e Premierligës, Tottenhamin, në finalen që u zhvillua në stadiumin “Wanda Metropolitano”.

Mohamed Salahu dhe Divock Origi e shënuan nga një gol për t’ia siguruar klubit të tyre trofeun e gjashtë në histori.

Ky sukses i Liverpoolit bën që Xherdan Shaqiri ta shtojë edhe një tjetër medalje të artë të Ligës së Kampionëve në kabinetin e tij.

27-vjeçari e kishte shijuar ndjenjën e të qenit kampion i Evropës edhe në vitin 2013, kur me Bayern Munichun e mposhti Dortmundin në finalen e Ligës së Kampionëve. Në atë kohë, Dortmundi drejtohej nga Jurgen Kloppi.

Megjithatë, këtë vit, për dallim nga viti 2013, edhe Kloppi e edhe Shaqiri e mbyllën sezonin e Ligës së Kampionëve me buzëqeshje në fytyrë.

Por, një rekord që mund të mos i pëlqejë edhe aq shumë përfaqësuesit zviceran me prejardhje nga Kosova është që trajnerët e tij nuk ia kanë besuar asnjë minutë lojë në këto dy finale. Ai mbeti në stol për të gjithë ndeshjen edhe në vitin 2013 e edhe sonte, por natyrisht, është pajisur me medalje të artë.

“Jam i kënaqur që më në fund e fituam këtë Kupë. Fansat dhe njerëzit që punojnë shumë për këtë klub e kanë merituar këtë trofe”, u shpreh Shaqa mbrëmë. “Ka qenë sezon fantastik dhe u kurorëzua me këtë trofe. Fati ishte në anën tonë. Jam i lumtur që po festoj trofeun e dytë në karrierë të Champions League”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme