Salihu: Kundër Spanjës luajmë vetëm në “Fadil Vokrri”

13:04 | 13 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Në fillim të kësaj jave në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për fazën e kualifikimeve për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Kombëtarja e Kosovës bënë pjesë në Grupin B së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë, Gjeorgjinë dhe Suedinë. Menjëherë pas shortit, ishte Kombëtarja e Spanjës ajo e cila përmes një reagimi nga Ministria e Punëve të Jashtme të saj ngriti dyshime rreth asaj nëse ndeshja do të zhvillohet në Prishtinë për shkak se Spanja ende nuk e ka njohur Kosovës si shtet.

Në lidhje me këtë çështje, ka folur sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili theksoi se ndeshja ndaj Spanjës, kur Kosova është në rolin e vendasit do të zhvillohet në Prishtinë, kurse sa i përket asaj që zhvillohet në Spanjë, iu takon atyre të vendosin.

“Për fat të mirë për neve, nuk është vetëm Kosova rast unik. Kemi raste të shumta tani të shtete ndërmjet vete dhe nëse UEFA fillon tani të bëjë politik selektive atëherë futbolli nuk do të zhvillohej, ndoshta si turnir duhet me u bë. Para fillimit të çdo kualifikimi çdo shtet ka të drejtë që të kërkojë që të mos ndeshet, sikur Serbia që ka bërë e Rusia. Spanja nuk ka pasur kurrfarë kërkese të tillë, përkundër faktit që është e dimë, një mohuese e zjarrtë e pavarësisë së Kosovës, po tregohet si armike, së paku në letër. Ne e dimë saktë gjatë procesit të pranimit të Kosovës se çfarë dëme është tentu me u bë edhe janë bërë. Për ne është shumë e qartë, ne do ta zhvillojmë ndeshjen, nëse jo në Spanjë, ata do ta zgjedhin një vend me të gjitha simbolet shtetërore dhe nuk vjen në shprehje me luajt ndryshe. Ndeshjen tjetër do ta zhvillojmë në Prishtine. A vjen Spanja a jo, është problemi i tyre. Sa i përket shteteve të tjera, me Greqinë kemi raporte të shkëlqyeshme, edhe atje kemi luajtur pa kurrfarë problemi, kemi bërë pritje të madhe këtu…..Edhe me Gjeorgjinë vlen e njëjta, unë nuk besoj që do të ketë problem. Kështu që Spanjës, thash edhe njëherë, do ta luajmë lojën ku ata të vendosin, ndërsa ne Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet ndeshja me Spanjën”, deklaroi Salihu.

Madje, Salihu, e ka përjashtuar edhe Shqipërinë si një alternativë e një tereni neutral për zhvillimin e ndeshjes duke thënë se ne e kemi stadiumin tonë dhe nuk kemi nevojë të luajmë diku tjetër.

“Jo, jo fare, nuk kemi pse të luajmë në terën neutral përkundër faktit se Shqipëria është sikur, si me luajtë në Prishtinë si në Shkodër, por kur e kemi stadiumin tonë”.

Ndërsa sa i përket Superligës së Kosovës, Salihu ka zbuluar se janë duke punuar intenzivisht që së shpejti të aplikohet teknologjia VAR edhe në vend.

“Kryetari Ademi dhe disa anëtarë të komitetit kanë qenë I kanë shikuar disa federata të tjera si janë duke e inkorporuar. Duhet do mjete të konsiderueshme sepse duhet besoj tre-katër makina të mëdha që kushtojnë shumë, të cilat duhet të jenë në lëvizje për t’u përcjell ndeshja dhe për të qenë afër. Por, jemi duke menduar seriozisht dhe duke bërë analiza se sa do të na kushtojë edhe si mundemi ta aplikojmë. Jam i bindur se është vetëm çështje kohe, por nuk mund të hyjmë ne diçka gjysmake, duhet të tentojmë t’i mbulojmë të gjitha ndeshjet që zhvillohen në kampionat”.

Sekretari i FFK-së foli edhe mbi të ardhmen e trajnerit të Kombëtares së Kosovës, Bernard Challendes, puna e të cilit u vë në pikëpyetje pas rezultateve negative gjatë këtij viti. Salihu konfirmoi se Challendes do të vazhdojë të jetë trajner i Kosovës dhe se ai ka ende shumë për të dhënë për ekipin kombëtar me përvojën, karakterin dhe mentalitetin që ka.

“Më tregoni se cili njeri kishte mundur mos me e zgjatë kontratën një trajneri i cili I bënë 15 ndeshje si autsajder total për herë të parë në histori të futbollit, i bënë 15 ndeshje dhe ia ngritë imazhin krejt popullit shqiptar kudo që janë. Cili njeri nuk ia kishte vazhduar kontratën një personi të tillë. Ne e dimë mirë, edhe Presidenti Vokrri edhe Presidenti Ademi edhe të gjithë të tjerët e dinë mirë çfarë kualitete ka. Është një person që ka shkollë të lartë që ka një përvojë të madhe, që e njeh mentalitetin e shqiptarëve dhe kosovarëve në veçanti edhe jam i bindur, t’i kthehem asaj, që ka shumë për të dhënë më bazë të përvojës, në bazë të karakterit dhe mentalitetit që ka”, deklaroi në fund Salihu për KP.

Kualifikimet për Kampionatin Botëror të futbollit “Katar 2022”, fillojnë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe Kosova e nis më sfidat ndaj Suedisë dhe Spanjës, më 28 dhe 31 Mars.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme