Google ADS

Salahu e akuzon Federatën e Futbollit të Egjiptit

14:44 | 27 Gusht 2018
Arbresh.info

Sulmuesi egjiptian i Liverpoolit, Mohamed Salah, e ka nxitur një konflikt me Federatën e Futbollit të Egjiptit, duke i akuzuar drejtuesit e kësaj Federate se janë duke i injoruar ankesat e tij për problemin rreth përdorimit të një fotografie.

Ylli i Kombëtares së Egjiptit, për herë të parë, foli rreth këtij problemi në prill, kur fotoja e tij u përdor në pjesën e jashtme të aeroplanit të skuadrës së Kombëtares. Kjo fotografi ishte sponsorizuar nga kompania ËE, ndërsa Salahu sponsorizohet nga një kompani rivale, Vodafone, transmeton Gazeta Express.

Salahu e kishte cilësuar përdorimin e fotografisë së tij si një ofendim të madh në Twitter, dhe tani i ka përdorur rrjetet sociale përsëri për të sulmuar Federatën, duke thënë se letrat e tij po injorohen.

“Nuk është normale që letrat e mia dhe letrat e avokatit tim po injorohen. Unë nuk e di pse kjo gjë po ndodhë. A nuk keni mjaftueshëm kohë të më përgjigjeni?!”, ka shkruar Salah në Twitter të dielën.

Ndërsa, Federata e Futbollit të Egjiptit ka lëshuar një deklaratë zyrtare për këtë problem, ku thuhet se ata do t’ia kthejnë përgjigjen agjentit të Salahut, Ramy Abbas.

Avokati Abbas ka bërë të ditur se e gjitha çka kërkojnë nga Federata është t’i sigurojnë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë përsëri.

“Ne kemi kërkuar garanci rreth mirëqenies së Salahut gjatë kohës kur është me Kombëtaren e Egjiptit, dhe të na sigurojnë se shkelje të tilla të të drejtave për përdorimin e fotografive nuk do të ndodhin përsëri. Kjo është e gjitha. Ata ende nuk janë përgjigjur”.

Salahu ishte lojtari më i rëndësishëm i Egjiptit në Kupën e Botës, por një lëndim në shpatullën e tij, të cilin e pësoi në finalen e Ligës së Kampionëve, ndikoi negativisht në skuadrën e tij, dhe ata nuk arritën ta kalojnë fazën e grupeve.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme