Google ADS

Sa vlejnë financiarisht medaljet olimpike dhe sa ari, argjend dhe bronz futet në to

17:04 | 23 Korrik 2024
KRG

Lojërat Olimpike në Paris janë afër të fillojnë dhe me këtë rast organizatorët kanë përgatitur saktësisht 5084 medalje që do t’u shpërndahen sportistëve më të mirë në botë. Por, sa vlejnë financiarisht ato?

Për çdo sportist, një medalje olimpike nuk ka çmim. Ato janë të shtrenjta edhe për koleksionistët, por vlera e tyre në fushën teknike nuk është aq e madhe.

Gazeta italiane Gazzetta dello Sport ka zbuluar tashmë se sa vlejnë teknikisht medaljet olimpike, nëse metalet do të shkriheshin.

Organizatorët e Lojërave Olimpike në Paris bënë 5084 kopje të medaljeve të arta, argjendta dhe bronzta që presin pronarët e tyre të rinj. Ajo që i ndan olimpistët e këtij viti nga e kaluara është fakti se në çdo medalje do të futet një copë hekuri nga Kulla Eifel.

Në çdo medalje do të përdoren 18 gram hekur nga Kulla Eifel dhe pjesët që janë përdorur gjatë restaurimeve të mëparshme do të përdoren, pra nuk do të hiqen nga ndërtesa aktuale.

Medalja e artë peshon 529 gram, argjendi 525 gram dhe bronzi 455 gram.

Sa i përket medaljeve të arta, natyrisht, ato nuk janë plotësisht të arta. Vetëm në Lojërat Olimpike në vitet 1904, 1908 dhe 1912 medaljet u bënë tërësisht prej ari të pastër.

Pas kësaj, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi një normë që thotë se gjashtë gram ari të pastër shkojnë në medaljen e artë në Lojërat Olimpike. 523 gramët e mbetura të përdorura për medaljen e artë janë prej argjendi me një pastërti minimale prej 92.5 për qind.

Nëse do të shisje një medalje ari nga Parisi thjesht duke shkrirë metalin, do të merrje “vetëm” 700 euro. Me të njëjtin parim, po të shkrije metalet nga medalja e argjendtë, do të merrje 400 euro.

Gjëja më interesante është se vlera e medaljes së bronztë është shtatë euro. Është e qartë se aliazhi i përbërë nga bakri dhe zinku ka një vlerë të papërfillshme në treg në krahasim me arin dhe argjendin, por miliona sportistë do të jepnin gjithçka për të marrë në dorë atë medalje, e cila fizikisht vlen shtatë euro. /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme