Rusia eliminohet nga Kampionati Botëror, Kroacia në gjysmëfinale

22:57 | 7 Korrik 2018
Arbresh Info

Kroacia ka kaluar në gjysmëfinale duke eliminuar Rusinë pas ekzekutimit të penaltive mbrëmjen e sotme (e shtunë).

Skuadra e trajnerit Zlatko Dalic ka kaluar për herë të parë në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror që nga viti 1998 duke eliminuar nikoqirin e këtij turneu madhështor, shkruan portali arbresh.info.

Ndeshja shkoi në vazhdime pasi 90′ minuta lojë përfunduan me rezultat 1 me 1. Supergoli nga distanca i sulmuesit rus Denis Cheryshev në minutën e 31′ u mohua vetëm tetë minuta më vonë nga anësori Andrej Kramaric që barazoi shifrat për 1 me 1 me një gol të bukur me kokë pas asistimit nga Mario Mandzukic.

Pjesa e dytë e takimit në stadiumin Fisht Olympic nuk solli ndonjë gol, megjithëse Kroacia kishte një shans të bukur përmes Ivan Perisic.

Në vazhdime, Kroacia përmbysi rezultatin duke realizuar për 1 me 2 përmes mbrojtësit Domagoj Vida (101′), por rusët arritën të përgjigjen duke barazuar përmes Mario Fernandes në pjesën e dytë të vazhdimeve (115′) dhe gjithçka u vendos përmes penaltive.

Kroacia, e cila tani do të përballet më 11 korrik me  Anglinë, fitoi në penalti me rezultat 3 me 4.

Mario Fernandes dhe Fedor Smolov dështuan me goditjen nga pika e bardhë te rusët, ndërsa Mateo Kovacic ishte lojtari që nuk u tregua i saktë te kroatët./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme