Rummenigge: Dëshirojmë që Heynckes të vazhdojë, nëse largohet trajneri i ri do të jetë gjerman

23:26 | 14 Janar 2018
Arbresh.info

Me rikthimin e Jupp Heynckes, Bayerni i Mynihut ka rigjetur ritmin.

Vendi i parë në klasifikimin e Bundesligës dhe ecuria e mirë në Ligën e Kampionëve janë sinjale që bavarezët e kanë kaluar krizën e fillim sezonit dhe tashmë po mendojnë për objektiva të rëndësishëm.

Fitorja 3-1 si mysafirë i Leverkusenit është një konfirmim i qartë se ecuria fantastike në muajt e fundit nuk është thjesht fat, Bayerni i Mynihut është rikthyer i frikshëm.

Faktet janë të qarta, Jupp Heynckes duket se po ridimensionon grupin aktual, pavarësisht problemeve të shumta me dëmtimet. Në këtë mënyrë, jo vetëm rezultatet, por edhe puna e njeriut të tre titujve në vitin 2013 po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen e drejtuesve të klubit, që duhet të zgjidhin me çdo kusht një problem të madh.

Heynckes ka një kontratë që i skadon në fund të sezonit dhe disa herë ka shprehur bindjen se nuk dëshiron të vazhdojë më tej, prandaj në rrugën e klubit del detyra e vështirë për ta bindur trajnerin të vazhdojë punën për të paktën edhe një sezon. Administratori i deleguar, Karl-Heinz Rummenigge shprehet se po punon për ta bindur Heynckes të vazhdojë projektin.

“Ne dëshirojmë që të vazhdojë dhe do të luftojmë për ta bindur. Nëse do të jetë e pamundur dhe do të kërkojë të largohet, atëherë pa dyshim zëvendësuesi i tij do të jetë gjerman”, thekson Rummenigge. /SS/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme