Dashuria e tij për Kosovën bëri që ai ta zgjedhë ekipin e “Dardanëve” kur i erdhi koha për të vendosur në mes vendlindjes dhe Shqipërisë.
Përderisa ishte duke i lidhur këpucët në zhveshtoren e stadiumit “Fadil Vokrri”, gjithçka që Mërgim Vojvoda mund të mendonte para ndeshjes më të rëndësishme të vendit të tij ishte suksesi që do ta tregonte ai dhe bashkëlojtarët e tij vetëm disa minuta më vonë.
Mbrëmjen e 20 nëntorit 2018 “Dardanët” e kishin pritur me padurim, pasi që atë natë në Prishtinë do të zhvillohej ndeshja më e rëndësishme në historinë e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Vojvoda dhe djelmoshat e tjerë të Bernard Challandes e pritën në shtëpi ekipin kombëtar të Azerbajxhanit dhe e siguruan një fitore me rezultat 4-0, duke u shpallur fitues të Grupit 3 të Ligës D në kuadër të Ligës së Kombeve.
Përveç tre pikëve të fituara nga kjo ndeshje, Kosova u shpërblye për arritjen e saj me promovim nga Liga D në Ligën C, si dhe e siguroi një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian.
Rëndësia e kësaj ndeshje solli me vete edhe mjaft shumë presion mbi futbollistët e rinj të Kosovës. Megjithatë, Vojvoda nuk e kishte ndierë aspak këtë presion dhe gjithçka që kishte menduar para ndeshjes ishte kualifikimi nga ky grup.
“Atmosfera në zhveshtore ishte shumë e qetë. E kemi ditur të gjithë se çfarë duhet të bëjmë dhe e kemi treguar këtë gjë edhe në fushën e lojës”, thotë Vojvoda në një bisedë me Gazetën Express.
Kjo nuk ishte hera e vetme që besimi në aftësitë e tij i hyri në punë Vojvodës. Përderisa shumë fëmijë ëndërrojnë të bëhen futbollistë, shumë pak nga ta i shkojnë deri në fund kësaj ëndrre. Për Vojvodën, njëra ndër gjërat që i ndihmoi për të mos u dorëzuar asnjëherë nga kjo ëndërr ishte pikërisht vetëbesimi i tij.
“Jo, asnjëherë [nuk kam menduar të dorëzohem nga ëndrra për t’u bërë futbollist] sepse e kam pasur përkrahjen nga familja dhe gjithmonë kam pasur besim te vetja”, është shprehur 23-vjeçari me prejardhje nga Skënderaji.
Përveç një periudhe gjashtëmujore kur kishte luajtur në Gjermani, për klubin Carl Zeiss Jena, Vojvoda e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si futbollist, edhe si fëmijë, në klube të Belgjikës, ku edhe jeton aktualisht.
Ai fillimisht kishte debutuar në futbollin e kombëtareve me Shqipërinë U-21 në tetor të vitit 2014, kur kishte qenë ende 18-vjeçar. Megjithatë, dashuria e tij për Kosovën bëri që ai ta zgjedhë Kosovën, e jo Shqipërinë, kur erdhi koha të debutojë për ekip të parë.
“Gjithmonë kam thënë që nëse Kosova bën ekip dhe mua më jepet mundësia për të luajtur aty, do të jem 100 për qind i gatshëm. Pas ndeshjes kundër Azerbajxhanit, jam ndierë shumë, shumë krenar dhe shumë i lumtur për popullin e Kosovës”, ka bërë të ditur kosovari, i cili debutoi për Kosovën më 11 korrik të vitit 2017.
Kearns,Vuçiqit: Mohimi është vazhdimësi e krimeve, ajo që fi...
Leverkuseni i Xhakës synon vetëm fitore ndaj Salzburg
Aktivistët e LVV-së në Mitrovicë me pankarta ku “kërko...
LVV: Kontratat njëburimore janë vetëm propagandë e opozitës
SPAK godet një organizatë kriminale, heton si të përfshirë e...
Nesër mbahet ceremonia e 25 vjetorit të themelimit të SHKK-s...