Rrëfehet Etrit Berisha

18:47 | 9 Maj 2017
Arbresh.info

Etrit Berisha përgatitet për një finale sezoni ndër më të rëndësishmet e karrierës së tij në nivel klubesh. Atalanta e portierit të përfaqësueses shqiptare luan të shtunën në Bergamo ndaj Milanit një ndeshje e cila në rast fitoreje thuajse vulos vendin e 5 dhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës në edicionin e ardhshëm.

“Publiku ynë na jep një shtysë të jashtëzakonshme, na ndihmon. Ndeshja e të shtunës mund të jetë ajo vendimtarja, duam ta fitojmë absolutisht. Por jemi të qetë, kemi një avantazh të mirë në klasifikim. Bergamo është një qytet i cili jeton për futbollin, me tifozë të jashtëzakonshëm”, shpjegoi Berisha në një intervistë të dhënë për “La Gazzetta Dello Sport”.

“Ndaj Milanit është ndeshja që presim më me ankth, por edhe ajo më e vështira. Vendi i katërt tashmë ka ikur, objektivi është vendi i pestë. Duam dhe duhet ta arrijmë, por të shtunën do të jetë e vështirë”, vijoi portieri, i cili analizon rivalët e radhës.

“Donaruma është një portier shumë i mirë, i cili po bën gjëra të mira te Milani, sidomos kur ke parasysh moshën e re që ka. Suso është shumë i fortë dhe i vështirë për t’u kontrolluar. Pastaj përpara është Baka, i cili është gjithmonë i rrezikshëm. Por ne luajmë në shtëpi dhe duhet të shfrytëzojmë këtë avantazh”, theksoi ai.

Berisha ka treguar se vazhdon të mbetet në kontakt me drejtues e lojtarë të Lazios, sidomos me Thomas Strakoshën të cilin e ka etiketuar një mik dhe me të cilin flet vazhdimisht. Por ai nuk ka dëshirë të kthehet te bardhekaltërit që zotërojnë kartonin e tij, por të vazhdojë të qëndrojë te Atalanta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme