Rrëfehet afrikani i Prishtinës

18:08 | 6 Dhjetor 2017
Arbresh.info

FC Prishtina e përfaqësoi futbollin kosovar në Europa League dhe kjo ishte një mundësi e mirë për futbollistët e saj që t’i shfaqin vlerat e tyre.

Madje pati prej tyre që iu ranë në sy kundërshtarëve të Norrkopingut.

Njëri prej tyre ishte edhe Basit Abdul Khalid, i cili u përmend nga trajneri i ekipit suedez për cilësitë që i posedon.

Dhe, kjo është arsyeja se përse futbollistët Bardhekaltër janë të vendosur që edhe sivjet të dalin në Evropë, pasi kjo do të ishte një mundësi ideale për ta që, përpos që e përfaqësojnë ekipin e tyre, t’ia shohin eventualisht hairin kësaj daljeje edhe personalisht, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti ganez, pasi e kaloi një sezon brilant në atë të kaluarin, këtë edicion ngeci për shkak të lëndimit.

Megjithatë, ai po punon që të kthehet më i fortë se kurrë, në mënyrë që ta ndihmojë ekipin e Mirel Josës në pjesën e dytë të kampionatit.

“Këtë sezon e nisa mirë, por pata lëndim dhe kjo ishte keq për mua. Më shkoi gjysma e sezonit me operim dhe lëndim. Kjo ka ndikuar edhe në paraqitjet e ekipit, pasi më pas u lënduan Mazrekaj, Boshnjaku…, por lojtarët tjerë e menaxhuan mirë situatën”, thotë ai.

“Unë do të kthehem i fortë dhe inshallah shkon gjithçka mirë. Unë nuk do të fle, nuk do të pushoj fare këto javë së punuari, sepse kam humbur shumë lojë dhe më nevojitet ta kthej formën dhe të komponohem me ekipin. Do të ushtroj fort që ta ndihmoj ekipin në pranverë dhe të shënoj sa më shumë gola”, vazhdoi Khalid.

Europa League, eksperiencë speciale

Khalid, si edhe të gjithë futbollistët tjerë të Prishtinës e ka shijuar në maksimum eksperiencën në Europa League, edhe pse fatkeqësisht ajo nuk zgjati shumë.

Ai nuk do ta harrojë asnjëherë pjesëmarrjen e parë të tij në garat evropiane, pasi më parë kishte luajtur vetëm në futbollin afrikan.

“Europa League ishte një platformë mjaft e madhe për t’i shfaqur vlerat tua. Ne e bëmë më të mirën tonë. Ne hymë në fushë me besimin më të madh që t’i fitojmë ndeshjet dhe e kishim mbështetjen e tifozëve shqiptarë, por i zhgënjyem ata dhe për këtë më vjen keq. Shpresoj t’i shpërblejmë herën tjetër”, vazhdoi 21-vjeçari.

Do të shkojmë në Champions

Prishtina e mbylli pjesën e parë të sezonit në pozitën e dytë me dy pikë më pak se lideri, Llapi, sidoqoftë, Khalid beson dhe është optimist se kryeqytetasit do ta përmbysin në pranverë këtë epërsi të llapjanëve dhe se në fund do të festojnë ata për titull kampioni dhe pjesëmarrje të sërishme në Evropë në një nivel më lart.

“Ka shumë ndeshje në pjesën e dytë të kampionatit dhe jemi në vendin e dytë. Jemi vetëm dy pikë prapa liderit dhe në pranverë do të shkojmë fuqishëm për ta fituar titullin e kampionit dhe për të shkuar në Ligën e Kampionëve”, nënvizoi ai.

Synon një klub më të madh

Si çdo futbollist tjetër, edhe Khalid i ka idetë e qarta sa i përket të ardhmes së tij.

Futbollisti ganez e sheh Kosovën si një mundësi të mirë për t’u përgatitur për Evropë.

Pasi është mjaft i ri, e ka karrierën përpara dhe në vitet në vijim e sheh veten diku tjetër, më lart.

“Synim imi është të shkoj dhe të luaj në një ligë më të fortë evropiane, sepse Prishtina për mua është si një lloj trampoline për të më shtyrë përpara dhe lart e më lart. Me kohë, inshallah, e shoh veten në një klub më të madh evropian”, përfundoi Khalid. /Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme