Legjenda braziliane Ronaldo ka këmbëngulur se ai kurrë nuk kishte dashur ta braktisë Interin, por thotë se ishte detyruar të largohej kur klubi e kishte mbështetur trajnerin e atëherëshëm Hector Cuper pas humbjes së titullit në Serie A.
Ish-fituesi i Kupës së Botës me Brazilin foli në Festival dello Sport për karrierën e tij dhe në veçanti kohën sa ishte pjesë e gjigantit italian.
“Interi kishte ekip fantastik. Përveç Bobo Vierit, ne e kishim edhe Clarence Seedorf dhe shumë talente të tjera. Fatkeqësisht, lëndimet ma pamundësuan të luaj më shpesh me Vierin”, tha Ronaldo.
“Kur mbërrita atje, entuziazmi në Inter ishte shumë i madh dhe tifozët besonin se do të mundë të arrinim rezultate të mrekullueshme. Në Interi shoh entuziazëm edhe këtë vit dhe shpresoj se do të mundë të fitojmë diçka”, shtoi ai.
Ronaldo pësoi një seri lëndimesh në gju gjatë karrierës së tij, por asnjëri nuk ishte më i dhimbshëm se këputja e tendonit pak minuta pasi ishte rikthyer nga lëndimi në një ndeshje kundër Lazios në Kupën e Italisë.
“Ishte një lëndim që kurrë nuk kishte ndodhur në futboll më parë dhe nuk kishte shumë informata rreth tij, prandaj 10 ditët e para ishin errësirë totale dhe plot trishtim. U desh ta gjeja brenda vetes dashurinë për futbollin, të cilën s’e dija që e kisha”, shpjegoi Ronaldo.
Ronaldo u rikthye edhe nga ky lëndim dhe pritej ta udhëhiqte Interin drejt titullit shumë të pritur në Serie A më 5 maj 2002, por humbja 4:2 kundër Lazios ia dhuroi titullin Juventusit në ditën finale të kampionatit.
“Kam menduar për këtë humbje shumë herë. Mendoj se ne dolëm në fushë tejet të bindur se do të fitonim. Por besoj po ashtu se Cuper gaboi me formacionin, sepse vendosi shumë lojtar në mesfushë”, theksoi ai.
Dy muaj më vonë, Ronaldo kaloi në Real Madrid.
“Kurrë nuk kam dashur të larohem nga Interi, sepse ky klub ishte shtëpia ime dhe do të ishte për jetë. Kurrë nuk do të shkoja te presidenti t’i kërkoja ta shkarkojë trajnerin, sepse nuk ishte e drejtë se as në stilin tim. Isha i bindur se Massimo Moratti do ta shkarkonte Cuperin, prandaj për mua ishte një befasi e keqe kur ai e mbështeti atë”, tregoi ai.
“Megjithatë, arritëm në një pikë ku Cuper dhe unë nuk shkonim mirë bashkë. Ai nuk më trajtonte mirë. Nuk e di nëse fitimi i titullit do të ma ndryshonte mendjen”, përfundoi ai. /Gazeta Express/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...