Me rezultat 4-2, Roma e ka mposhtur Sassuolon në ndeshjen e javës së tretë në Serie A, e cila u zhvillua në Stadio Olimpico në kryeqytetin italian.
Fillim fantastik i Giallorossëve në pjesën e parë të takimit, në të cilën arritën t’i shënojnë plot katër gola. Bryan Cristante e nisi serinë e golave (12′) duke shënuar në portën kundërshtare falë asistimit nga Lorenzo Pellegrini.
Nuk zgjati shumë dhe erdhi goli nga sulmuesi boshnjak, Edin Dzeko (19′), teksa kësaj radhe asistues ishte Aleksandar Kolarov.
Lorenzo Pellegrini vazhdoi me lojën e mirë duke dhuruar një tjetër asistim, këtë herë për Henrikh Mkhitaryan (22′) që u regjistrua në listën e golashënuesve.
(Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)
Justin Kluivert e shënoi golin e katërt të vendasve, ndërsa ky ishte asistimi i tretë i Pellegrinit në këtë gjysmë të parë (33′).
Në fraksionin e dytë, Roma ka mundur të shënojë akoma më shumë gola, pasi pati raste të shumta, mirëpo mungoi konkretizimi.
(Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)
Kjo bëri që mysafirët ta gjenin rrjetën në dy raste, me anë të Domenico Berardit (53′ dhe 72′).
Kjo ishte fitorja e parë sezonale e Romës që ka regjistruar edhe dy barazime dhe ka arkëtuar pesë pikë. Për Sassuolon kjo ishte humbja e dytë, ndërsa ka regjistruar edhe një fitore.