Google ADS

Ringritja e Liverpoolit nën drejtimin e Jurgen Klopp

08:13 | 26 Qershor 2020
Arbresh.info

Trajneri gjerman, Jurgen Klopp, u largua nga Borussia Dortmundi dhe nënshkroi me Liverpoolin në tetor të vitit 2015 duke e zëvendësuar Brendan Rodgersin dhe që atëherë nisi ringritja e Redsave.

Gjatë sezonit të tij të parë (2015/2016) e kualifikoi skuadrën në finale të League Cup, të cilën e humbi me penallti nga Manchester City. Po ashtu, të zgjedhurit e tij arritën edhe në finale të Ligës së Evropës, mirëpo pësuan nga Sevilla. Ndërkaq, në kampionat asokohe zunë vendin e tetë.

Në edicionin pasues (2016/2017), Liverpooli zuri vendin e katërt në tabelë dhe arriti të kualifikohej në Ligën e Kampionëve. Edhe në sezonin pas tij (2017/2018) ishte pjesë e garës më të madhe evropiane për klube. Ndërsa në vitin 2018 luajti në finale, ku pësoi nga Real Madridi (3-1).

(Foto: Shaun Botterill/Getty Images/Guliver)

Redsat e nisën në mënyrë të mrekullueshme sezonin 2018/2019 dhe vazhduan të luanin mirë duke e përfunduar kampionatin në vend të dytë me 97 pikë, një më pak se kampioni i atij viti, Manchester City.

Mirëpo, në atë sezon, Liverpooli arriti sërish në finale dhe e fitoi Ligën e Kampionëve duke triumfuar ndaj Tottenham Hotspur (2-0). Pasuan trofetë në Superkupën UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube.

Ndërsa në sezonin 2019/2020, i gjithë fokusi ishte në Ligën Premier. Ekipi i udhëhequr nga Klopp krijoi diferencë të madhe me përcjellësin e parë, Manchester City, mirëpo pandemia e coronavirusit i komplikoi gjerat.

Sidoqoftë, pas rikthimit të futbollit, Liverpooli u shpall kampion i Ligës Premier, shtatë javë pa përfunduar kampionati, pasi kishte 23 pikë më shumë se Citizens. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme