Google ADS

Rikthim i fuqishëm nga Chelsea, Higuain dhe Hazard shënojnë nga dy gola

17:53 | 2 Shkurt 2019
Arbresh Info

Chelsea është rikthyer fuqishëm pas disfatës më të madhe të pësuar në dhjetë vitet e fundit nga xhiroja e fundit.

“Blutë” u mposhtën me rezultat të thellë 4 me 0 nga Bournemouthi në xhiron e fundit, por skuadra nën udhëheqjen e Maurizio Sarrit ka bërë një rikthim befasues duke mposhtur me rezultat 5 me 0 rivalin e sotëm në Stamford Bridge – Huddersfield Town, shkruan portali arbresh.info.

Sulmuesi Gonzalo Higuain hapi llogarinë e tij te skuadra e re në Premierë Ligë duke shënuar dy herë pas transferimit të tij nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të muajit janar. Reprezentuesi argjentinas gjeti portën fillimisht në minutën e 15′ pas një super asistimi nga N’Golo Kante, i cili asistoi edhe në “raketën” e tij nga 25 metra gjatë pjesës së dytë për 4 me 0 (69′).

Superylli Eden Hazard kishte realizuar dy golat e tjera për “Blutë”. Belgu u tregua i saktë me goditjen e tij nga pika e bardhë në minutën e 46′, ndërsa golin tjetër e shënoi në minutën e 66′.

Goli i fundit u realizua me kokë nga David Luiz në minutën e 86′.

Chelsea tani ka gjithsej 50 pikë në pozitën e katërt, tri më shumë se Arsenali me një lojë më pak, ndërsa Huddersfieldi i Florent Hadergjonajt, i cili nuk u inkuadrua fare në këtë ndeshje, vazhdon qëndrimin në fund të tabelës me vetëm 11 pikë./arbresh.info/

Të ngjashme