Rezultatet e Përfaqësueses, faji nuk është jetim

14:36 | 12 Qershor 2017
Arbresh.info

Pak shpresë, pak emocione, pak shikues, pak interesim për ndeshje…

Kjo ishte panorama e Përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen e fundit me Turqinë e zhvilluar në stadiumin ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës, të dielën mbrëma, përcjellë Arbresh.info.

Kosova edhe një herë nuk gjeti forcë duke ‘ngrënë’ katër gola dhe shënuar vetëm një.

Përfaqësuesja e Kosovës në këtë mënyrë vazhdon me rezultatet të dobëta në fushatën e parë eliminatore që pas pranimit në FIFA dhe UEFA.

Gjashtë ndeshje të zhvilluar, zero fitore, një barazim dhe pesë humbje, vendin e fundit në tabelë.

Këto janë të arriturat e Përfaqësueses së Kosovës në këto ndeshje.

Përkundër rezultateve, trajneri Albert Bunjaku nuk ka paralajmëruar largim.

Ndryshe, Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se kontrata e Bunjakut nuk do të diskutohet deri pas përfundimit të eliminatoreve.

Tovërlani: Fadil Vokrri, reflekto!

Fajtori për këto rezultate të Kosovës nuk është ‘jetim’ për trajnerin e mirënjohur kosovar, Afrim Tovërlani.

Strategu i futbollit kosovar, Afrim Tovërlani, ka deklaruar se është koha për ndryshim.

“Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, duhet të reflektojë sepse kështu nuk shkon më. Definitivisht duhet ndryshuar diçka. Sa i përket trajnerit, unë e kam thënë atë që e kam menduar para disa viteve dhe njerëzit tashmë po i përsëritin fjalët e mia”, ka thënë ‘timonieri’ më i suksesshëm kosovar, Afrim Tovërlani për Arbresh.info.

Batatina: Nëse i punon katër puna, asnjë nuk mund ta kryesh në mënyrën më të mirë

Ndryshe, edhe trajneri tjetër kosovar, Tahir Batatina, mendon se Kosova ka nevojë për freski.

“Duhet analizuar mirë situatën. Përfaqësuesja jonë po vuan për infrastrukturë sportive, për ndeshje miqësore dhe kjo po ndikon negativisht në Përfaqësuese. Mendoj se Albert Bunjakut i duhet ende kohë, por duhet ndryshim në staf sepse nuk po vërehet ndonjë ndihmë nga stafi. Nëse i punon katër puna, asnjë nuk mund ta kryesh në mënyrën më të mirë. Edhe në Kosovë ka njerëz që mund të japin kontribut pa kërkuar selektor jashtë Kosocvës”, i ka thënë portalit Arbresh.info, trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Munishi: Edhe Burundi është 30 vende para nesh

Ashpër ka reaguar edhe trajneri i njohur kosovar, Ismet Munishi.

“6 ndeshje 18 gola të pësuar, 3 gola për ndeshje. Kjo do të jetë historia më e zezë e reprezentacionit të Kosovës. Edhe Burundi është 30 vende para nesh në ranglistën e FIFA-s. Ndeshja e sotit katastrofë e radhës. Nuk ishim dinjitoz kundër një Turqie me probleme e cila nuk luajti mirë sonte. Ne nuk jemi ekip, dukemi si bandë. E ju vazhdoni me tregu përralla me mbret. Marre”, ka shkruar Munishi në rrjetet sociale.

Ndeshja e radhës për Përfaqësuesen e Kosovës do të jetë me Kroacinë gjatë muajit shtator. /arbresh.info/

Të ngjashme