Rezultatet dhe renditja pas javës së 35-të: Ballkani kampion, ‘lufta’ për barazh ende e hapur

18:11 | 18 Maj 2024
R J

Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 35-të, që kanë sjell rekord golash në Superligën e Kosovës, duke vendosur edhe titull kampion, ku Ballkani e siguroi për herë të tretë radhazi.

Ballkani ka arritur të shënojë fitore si mysafir në derbin e sezonit ndaj Llapit në “Zahir Pajaziti” me rezultat 1-0.

Në anën tjetër, Gjilani ka arritur një fitore të madhe ndaj Dritës me rezultat 2-1, që e mban jashtë zonës së barazhit.

Në ndeshjen e golave rekord, Malisheva triumfoi ndaj Lirisë me rezultat 7-4, ndërsa thellë fitoi edhe Prishtina që mposhti Fushë Kosovës me rezultat 5-0.

Feronikeli 74, po ashtu ka shënuar fitore, duke e mposhtur Dukagjinin me rezultat 3-2 në “Rexhep Rexhepi”.

Ballkani me 75 pikë është kampion i Kosovës, duke e lënë Llapin në vendin e dytë me 68 pikë. Drita tani ka 66 pikë në pozitën e tretë.

Malisheva ka siguruar vendin e katërt me 56 pikë, ndërsa Prishtina do ta mbyll në vendin e pestë, pasi tani ka 49 pikë. Dukagjini që siguroi mbijetesën javën që shkoi ka 45 pikë.

Gara për barazh mbetet ende e hapur, ku Gjilani ka 42 pikë, një më shumë se sa Feronikeli 74 që ka 41 pikë.

Fushë Kosova me 20 pikë dhe Liria me 14 pikë janë në dy vendet e fundit.

Java e fundit, ajo e 36-ta do të sjell verdiktin e fundit, ku Fushë Kosova pret Feronikeli 74-të, ndërsa Gjilani do të jetë mysafir i Dukagjinit. Ballkani pret Prishtinën, ndërsa Liria do të jetë nikoqirë i Llapit. Drita e mbyll në shtëpi ndaj Malishevës. /Telegrafi/

Të ngjashme