Google ADS

Revolucioni në Ligën e Kampionëve fillon sonte: Sezoni 2024/25 me format të ri dhe favoritë të vjetër

08:41 | 17 Shtator 2024
E.K

Sonte (e martë) me fillim nga ora 18:45 do të fillojë sezoni i ri i Ligës së Kampionëve, i cili mund të thuhet se është historik në shumë aspekte.

Nga ky sezon, garat elitare evropiane për klube nuk do të jenë në formatin e saj të njohur me tetë grupe nga katër skuadra, gjë që sigurisht do të marrë pak kohë për mësim.

Është rritur edhe numri i skuadrave, kështu që këtë sezon 2024/25 në Ligën e Kampionëve në vend të 32 do të shohim 36 skuadra që do të jenë të gjitha së bashku në një tabelë.

Në pjesën e garës së ligës, secila skuadër do të luajë nga tetë ndeshje kundër kundërshtarëve që u tërhoqën në shortin e 29 gushtit dhe tetë skuadrat e para do të kalojnë direkt në fazën e 1/8-tës. Ekipet nga vendi i 9-të në të 24-të pas tetë xhirove të luajtura do të kalojnë në ‘play-off’ për një vend në fazën e 1/8-tës.

12 skuadrat e fundit në tabelë do të përfundojnë pjesëmarrjen në Evropë këtë sezon, çka do të thotë se nuk ka më transferim në Ligën e Evropës siç ishte në sezonet e mëparshme.

Turi i parë i Ligës së Kampionëve do të luhet nga e marta në të enjte, ndërsa shtatë të tjerat, si më parë, gjatë të martave dhe të mërkurave.

Raundi i fundit është caktuar për 29 janar, ndërsa faza e eliminimit fillon më datë 11 shkurt. Finalja e madhe do të luhet më 31 maj në Allianz Arena të Mynihut.

E ndërsa formati i garës është i ri, favoritët për titull janë ende të njëjtat klube.

Manchester City, Real Madrid, Arsenal dhe Bayern Munich janë në krye të listës sipas shtëpive të basteve, ndërsa Interi, Barcelona, Liverpooli dhe Paris Saint-Germain shihen si favoritë të fshehur.

Ndeshjet e sotme dhe orari

Juventus – PSV Eindhoven 18:45

Young Boys – Aston Villa 18:45

Milan – Liverpool ora 21:00

Bayern Munich – Dinamo Zagreb ora 21:00

Real Madrid – Stuttgart ora 21:00

Sporting Lisbona – Lille ora 21:00 /Telegrafi/

Të ngjashme