Real Madridi- mbreti i pathyeshëm i Ligës së Kampionëve, 15 herë i pari

15:00 | 4 Janar 2025
K.B

Real Madridi vazhdon t’a mbajë fronin e mbretit në Evropë.

Mbretërit e Evropës u rikthyen në podium vetëm pas një viti, duke triumfuar në këtë kompeticion për herën e 15-të, absolutisht një rekord për spanjollët, shkruan Arbresh.info.

Goglat e fatit i dhanë një përparësi të madhe Real Madridit në fazën e grupeve, ku u shortua në grupin C, së bashku me Napolin, Bragan dhe Union Berlinin.

Madrilenët u treguan të pamëshirshëm me këto skuadra, duke i mposhtur nga dy herë brenda e jashtë impiantitn “Santiago Bernabeu”.

“Viktima” e parë e Los Blancos në grup ishte Union Berlini i cili u tregua arrë e fortë për madrilenët, por tashmë që Real Madridi kishte fituar një super yll si Jude Bellinghami, nuk u lejua befasia dhe madrilenët triumfuan 1-0 në ndeshjen e parë.

Edhe në ndeshjen e dytë, skuadra e drejtuar nga Ancelotti pati punë të madhe pasi luajti në udhëtim tek atëherë kampioni i Italisë, Napoli.

Por, që në fund doli të jetë një udhëtim i ëmbël duke triumfuar edhe ndeshjen e dytë me rezultat 2-3.

Një tjetër fitore minimale, kësaj radhe me rezultat 1-2 e arriti në Portugali ndaj Bragas dhe tashmë kishte nëntë pikë pas tri ndeshjeve në grupin C.

Forma e mirë e “Los Blancos” vazhdoi edhe në tri ndeshjet e fundit të grupit C, ku fillimisht triumfuan ndaj Bragas 3-0, pastaj mposhtën Napolin 4-2 në “Santiago Bernabeu”.

Ndërsa, takimin e fundit e luajtën në stadiumin mitik të Berlinit ku nën një atmosferë impozante Reali fitoi 2-3, për të kompletuar gjashtë fitore në grup dhe ta mbyllur si liderë me 18 pikë.

Champions League sa po shkonte duke u ndezur. Erdhi radha për shortin e fazës së 1/8 së finales së këtij kompeticioni, ku sërish shorti foli në anë të Real Madridit.

Red Bull Leipzig një kundërshtar gjerman për “mbretërit” spanjoll. Shumëkush e pa Realin si favorit të padiskuteshëm.

Mirëpo, loja foli ndryshe, Leipzigi i doli madrilenëve “një kockë” e fortë. Sfida e parë ishte në Gjermani ku madrilenët triumfuan minimalisht 1-0, por që duhet të cekur se edhe fati ishte në anën e tyre.

E një fat më i madh i përcolli në Spanjë në ndeshjen e kthimit, ku shumë lehtë, kryeqytetasit spanjoll mund ta humbnin epërsinë e krijuar.

Por që strategjia mbrojtëse e “Don” Carlo Anecelottit funksioni shumë mirë ndeshja u mbyll baras 1-1, teksa “Los Blancos” u kualifikuan për në çerekfinale.

Derisa shorti u tregua i mëshirshëm në rrethin e parë dhe të dytë, kësaj radhe Perezit “ia preu” këmbët kur e pa se kundërshtari i radhës i skuadrës së tij do të jetë Manchester City.

Kundërshtar që e eliminoi Realin në gjysmëfinale të vitit 2023, madje e turpëroi duke e mposhtur në ndeshjen e dytë me rezultat 4-0.

Por a ishte koha e duhur për një revansh të “mbretërve”?

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadra prodhoi gjithçka, dramë, emocion e ndeshje të zjarrtë, ku u cilësua si një ndër ndeshjet më të zjarrta të atij sezoni.

Ndeshja u mbyll me rezultat 3-3 në Spanjë, teksa gjithçka mbeti të vendosej në “Etihad Stadium”.

Arena e kampionit në fuqi, Manchester Cityt ishte një “ferr” i vërtetët për dominuesit e këtij kompeticioni, ku vetëm një vit më parë kishin pësuar debaklin më të madh në histori duke u mposhtur 4-0.

Por edhe kësaj radhe mjeshtëria e Don Carlos vlejti më shumë se milionat e derdhur nga arkat e sheikëve të Manchester Cityt.

Reali u mbrojt dhe me kundërsulme arriti t’i bëj ballë, sulmeve të furishme që po vinin sa nga krahu i majtë e sa nga ai i djathtë. Koha e rregullt përfundoi 1-1. Teksa as vazhdimet nuk sollën fitues.

Ishte radha për penalltitë ku Real Madridi doli triumfuese me rezultat 4-3 nga kjo seri e gjuajtjeve nga 11-metra.

Tempulli “Etihad” u thye, Reali doli me kokën lartë dhe jo sikur një vit më parë, tani ishte radha për një sfidë tjetër të fortë, për derbin e rivalëve të vjetër evropian.

Gjermania, saktësisht Mynihu ishte destinacion i radhës i Realit, ku do të përballej me Bayernin në sfidën e parë gjysmëfinale.

Ndeshja e parë 2-2, tjetër barazim për “Los Blancos” ku mbeti sërish gjithçka hapur për në Spanjë.

Një javë më pas, Reali e pa vetën buzë eliminimit, pasi ishte në disavantazh deri dy minuta para fundit.

Por mendja e ndritur e italianit, Ancelotti për të inkuadruar një futbollist si Joselu bëri që historia e lojës të ndryshoj.

“Nga zero në hero”, thënia e famshme që e jep përshkrimin më të mirë për një futbollist si Joselu. Nuk bëri asgjë deri në atë pikë të sezonit, por me dy golat e tij për dy minuta u shndërrua në njeriun e momentit dhe në një hero të gjalltë për të gjitha fansat madrilen anë e mbanë e botës.

Me këta dy gola të Joselut, Reali arriti në finalen e “Wembleyt”, e cila do ishte e gjashta për të në 10 vitet e fundit.

“Finalet luhen janë për t’u fituar jo për t’u luajtur”, kjo është një thënie e njohur në futboll, e sidomos tek “Los Blancos”.
Ashtu sikurse pesë të kaluarat edhe të gjashtët, pa ndonjë problem të madh, Real Madridi e triumfoi me rezultat 2-0 ndaj Dortmundit, për t’u shpallur për herën e 15-të kampion.

Mbretërit u rikthyen në podiumin e Evropës pas vetëm një viti mungesë, ndërsa shkruan një histori tjetër duke u bërë klubi i parë dhe i vetëm që arrin kuotën e këtyre trofeve.

Se Real Madridi janë “baballarët e Evropës” ndër vite e dëshmojnë edhe trofetë e fituar, ku ata u shpallën kampion në vitet 1956, 1957, 1958, 1959, 1960, 1966, 1998, 2000, 2002, 2014, 2016, 2017, 2018, 2022 dhe 2024./Arbresh.info/Drilon Halili/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme