Real Madridi fiton për të tretën herë rresht Kupën e Botës për Klube

19:30 | 22 Dhjetor 2018
Arbresh Info

Real Madridi është bërë skuadra më e suksesshme në histori të Kupës së Botës për Klube.

‘Los Blancos’ kanë siguruar trofeun për të tretën herë rresht (katër tituj në përgjithësi) pas fitores 4 me 1 mbrëmjen e sotme (e shtunë) kundër skuadrës së Al Ain në finale duke lënë kështu me tituj pas gjigantin katalunas dhe rivalin e tyre të përbetuar – Barcelonën , shkruan portali arbresh.info.

Fituesi i Topit të Artë, Luka Modric tregoi klasin e tij duke realizuar një gol të bukur nga distanca derisa po zhvillohej minuta e 14′ e ndeshjes në stadiumin Zayed Sports City.

Goli i dytë u shënua nga Marcos Llorente pas një ore lojë, ndërsa epërsinë e thelloi tutje për 3 me 0 kapiteni i skuadrës – Sergio Ramos që shënoi me kokë pas asistimit nga Modric nga rivënia këndore.

Tsukasa Shiotani realizoi golin e vetëm për skuadrën nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Derisa po zhvilloheshin minutat e fundit të takimit, Yahia Nader realizoi autogol për 4 me 1 në përpjekje për të larguar topin.

Skuadra nën udhëheqjen e Santiago Solarit arriti në finale pasi mposhti skuadrën japoneze Kashima Antlers 3 me 1 në gjysmëfinale, ndërsa Al Ain siguroi një vend në finale falë penaltive të ekzekutuara kundër River Plates./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme