Real Madridi e fut në listën e prioriteteve për verën e ardhshme top yllin e PSG-së

17:50 | 10 Shtator 2024
E.G

Real Madridi është futur në sezonin aktual duke besuar se kombinimi i Eduardo Camavinga, Fede Valverde, Aurelien Tchouameni dhe Jude Bellingham do ta bëjë mesfushën e tyre një prej më të mirave në botë.

Megjithatë, nuk ka aspak dyshim se ata tashmë janë duke e ndjerë në maksimum mungesën e Toni Kroos i cili ka marrë vendimin për t’u pensionuar.

Krahas interesimit për Alphonso Davies dhe Trent Alexander-Arnold, një pozitë tjetër që duket se ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit është edhe mesfusha.

Së fundmi kishte pasur zëra se Rodri i Manchester Cityt do të jetë objektivi i tyre kryesor gjatë verës së vitit të ardhshëm.

Sipas raportimit nga mediumi katalanas Sport, Fabian Ruiz është një tjetër emër në radarin e tyre, pasi paraprakisht kishin konsideruar nënshkrimin me të. Paraqitjet fantastike të Ruiz për Spanjën këtë verë, e kanë vendosur atë si një alternativë reale për ‘Los Blancos’.

28-vjeçari ka edhe tri vite të mbetura në kontratën e tij tek PSG-ja, por Carlo Ancelotti dhe asistenti i tij Davide Ancelotti po kërkojnë transferimin e tij pasi tashmë e njohin lojtarin nga koha kur punonin tek Napoli.

Mbetet të shihet se për kë do të vendos Real Madridi mes Rodrit dhe Fabian, por natyrisht ky i fundit do të transferohej me një çmim dukshëm më të lirë./Telegrafi/

Të ngjashme