Reagon FFK: Ndeshja FC Prishtina – FC Liria zhvillohet në Hajvali

13:54 | 15 Shtator 2023
K.B

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka reaguar Prishtinës duke i thënë se ndeshjen ndaj Lirisë do ta luajë në Kampin Nacional në Hajvali.

Prishtina bëri një postim gjatë ditës së sotme, ku njoftoi tifozët se do t’i rikthehen ndeshjeve në stadiumin Fadil Vokrri, pas përfundimit të ndeshjeve të Kosovës.

Megjithatë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i FFK-së, e cila ka kundërshtuar klubin kryeqytetas duke thënë se edhe kjo ndeshje do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali, duke vazhduar ‘luftën e ftohtë’ mes dy palëve.

“Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë me kohë ka njoftuar FC Prishtina se ndeshja e javës së 5-të në Albi Mall Superligë, ndërmjet FC Prishtina dhe FC Liria, nuk do të mund të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ngase menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, FFK ka filluar me procesin e riparimit të fushës”.

“FFK, si zakonisht, i ka dalë në ndihmë FC Prishtina, duke ia vënë në dispozicion stadiumin me bari natyral në Kampin Nacional të FFK-së për zhvillimin e kësaj ndeshje, ashtu siç ka bërë edhe në ndeshjet e kaluara të këtij edicioni. Andaj, Komisioni i Garave ka vendosur që ndeshja në fjalë të zhvillohet më 17 shtator, në orën 15:00, në Kampin Nacional në Hajvali”.

“Pas kësaj jave, sipas ekspertëve të fushës, përfundon faza e rikuperimit të fushës dhe do të mund të rifillojë zhvillimi i ndeshjeve të Superligës në stadiumin “Fadil Vokrri”, thuhet në njoftimin e FFK-së. /Telegrafi/

Të ngjashme