Google ADS

Reagon Bayern Munich pas vdekjes së Beckenbauer: Pa të ne nuk do të ishim klubi që jemi sot

20:23 | 8 Janar 2024
D.H

Ish-legjenda e futbollit gjerman dhe Bayern Munich, Franz Beckenbauer, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare, ka njoftuar familja e tij.

Nuk ka munguar reagimi i klubit gjerman Bayern Munich, shkruan Arbresh.info.

“Bota e FC Bayern nuk është më ajo që ishte dikur, befas është bërë më e errët, më e qetë, më e varfër. Kampionët gjermanë vajtojnë Franz Beckenbauer, i vetmi “Kaiser”, pa të cilin FC Bayern nuk do të bëhej kurrë klubi që është sot” , është shkruar në  njoftimin e klubit gjerman në rrjetin social Facebook.

Herbert Hainer, presidenti i Bayern Munich, tha se ai la gjurmë të pashlyeshme në hisotrinë e Bayernit.

“Nuk ka fjalë për të shprehur sa i madh është trishtimi ynë dhe çfarë boshllëku lë Franz Beckenbauer. Si lojtar ai solli butësi, elegancë dhe magji në fushë. Edhe pas karrierës së tij si lojtar, ai la një gjurmë të madhe te FC Bayern dhe në botën e futbollit, ndërsa trashëgimia e tij nuk mund të matet me tituj. Familja e FC Bayern do t’i jetë përjetësisht mirënjohëse dhe unë personalisht mbaj zi për humbjen e një miku”, u shpreh ai.

Ndërkohë CEO i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge tha se futbolli gjerman humbet personalitetin më të madh në historinë e tij.

“Jam thellësisht i tronditur. Franz Beckenbauer shkruajti historinë e futbollit gjerman. Ai ishte kapiteni im te Bayern, trajneri im në Kombëtare, presidenti ynë te Bayern dhe në të gjitha këto role jo vetëm që ishte i suksesshëm, por ishte unik. Si personalitet bënte përshtypje respekti i madh që tregonte për të gjithë njerëzit sepse përballë Franzit të gjithë ishin të barabartë. Futbolli gjerman humbet personalitetin më të madh në historinë e tij. Do të na mungojë shumë. Faleminderit për gjithçka, i dashur Franz!”, tha Rummeniegge.

Beckenbauer vdiq gjatë ditës së sotme./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme