Reagimi zyrtar i FFK-së për dyshimet për manipulim të ndeshjeve në futbollin kosovar

11:56 | 24 Shkurt 2023
K.B

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, shqyrtoi raportimet lidhur me pretendimet në mediat lokale dhe ndërkombëtare për parregullsi në ndeshje të Superligës së Kosovës.

KE ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për ta hulumtuar rastin dhe për ta adresuar atë në mënyrë urgjente tek organet kompetente.

KE i FFK-së e ftoi në raportim zyrtarin për Integritet të Garave dhe i njëjti vuri në pah se në vazhdimësi i ka raportuar të gjitha çështjet dhe parregullsitë potenciale tek Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe dukurive tjera negative në sport, si organ kompetent në Republikën e Kosovës që merret me dukuritë negative. Zyrtari për Integritet të Garave e njoftoi KE-në se në vazhdimësi ka qenë në kontakt edhe me zyrtarët e UEFA-s dhe për çdo parregullsi e ka informuar Këshillin e lartpërmendur dhe nëse ka pasur nevojë edhe organet disiplinore.

FFK, së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet tona disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale.

FFK, rikujton se tash e disa vjet nëpërmjet zyrtarit të saj për Integritet të Garave dhe UEFA-në, kanë mbajtur seminare dhe takime me stafe të klubeve dhe futbollistë për sensibilizim në parandalimin e ndërhyrjeve të keqbërësve në futboll, teksa në vazhdimësi i monitoron të gjitha ndeshjet, në partneritet të plotë me kompanitë e aranzhuara nga UEFA rreth kësaj çështje.

FFK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi.

Kampionati ynë vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në atë të organizimit dhe të investimeve, prandaj si FFK do të qëndrojmë vigjilent dhe do të jemi zero tolerant ndaj keqpërdoruesve dhe çdo gjëje që e njollos integritetin e garës dhe imazhin e futbollit tonë.

lexo edhe:

K.F Llapi akuzohet për kurdisje të ndeshjeve, Prokuroria nis hetimet

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme