Ramadani pas triumfit në derbi: “Të gjithë dhanë maksimumin dhe me plot meritë arritëm te fitorja”

16:07 | 10 Dhjetor 2023
D.H

Drita arriti të triumfoj një tjetër derbi të qytetit ndaj skuadrës së Gjilanit, me rezultat minimal 1-0.

Pas ndeshjes trajneri i Dritës Zekirija Ramadani u shpreh shumë i lumtur që arritën fitoren në derbi  dhe potencoi emrat e disa lojtarëve , shkruan Arbresh.info.

Ramadani theksoi se ishte një derbi i vërtet dhe se me një gol mund të përfundonte ndeshja.

“Ishte derbi i vërtetë. Të dyja skuadrat bënë më të mirën, luftuan në mesfushë. Pjesën e parë nuk e fituam por bëmë ndryshime në pjesën e dytë. U fut edhe një lojtar më tepër në mesfushë që na solli situatën në krah nga ku edhe shënuam golin. Ishte gol i bukur i Blerim Krasniqit. E dinim që me një gol mund edhe të mbaronte ndeshja, ashtu siç përfundojnë shumica e derbive”, tha Ramadani.

Tutje ai foli për disa nga lojtarë që i ka udhëhequr edhe mëheret nëpër skuadrat të cilat i ka drejtuar në Superligën e Kosovës.

“Unë kam besim te Muharrem Jashari. Te Trepça ’89 kemi qenë bashkë, ai ishte 17-vjeçar. Kam besim të madh tek ai. Është futbollist me shpejtësi, teknikë, vizion e me pasime të mira, por ndihmon edhe në defensivë. Broja në qendër të mbrojtjes po luan pasi më duhet si organizues i lojës. Edhe me Florjan Smakiqin kemi qenë te Feronikeli. Ne mundohemi t’i mbajmë skuadrat lartë por i kam thënë se duhet të jeshë i vëmendshëm pasi mund të vijë ndonjë rast ku duhet të intervenosh”, potencoi ai.

Strategu nga Shkupi tha se kjo fitore erdhi me plot meritë dhe falë angazhimet të gjithë lojtarëve.

“Të gjithë dhanë maksimumin dhe me plot meritë arritëm te fitorja. Duhet të jemi të qetë dhe duhet vazhduar edhe në Kupë edhe në ligë. Çdo trajner kërkon të ketë sa më shumë lojtarë”, vazhdoi Ramadani.

Për fund ai foli edhe për të ardhmen e skuadrës së Dritës.

“Puna vështirësohet kur ke 2-3 lojtarë për secilën pozitë, por kush është në formë luan. Pasi të mbarojë sezoni vjeshtor, do të ulemi e do të bëjmë analizë të përgjithshme. Afati kalimtar i janarit është i varfër me lojtarë dhe nuk guxojmë të lirojmë lojtarë e të mos marrim asnjë”, përfundoi Zekirija Ramadani.

Kujtojmë që pas kësaj fitore Drita është në pozitën e dytë me 31 pikë, shtatë më pak se Ballkani por që ka një loj më shumë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme