Puna e madhe e fshehtë në UEFA për Kosovën

10:30 | 7 Mars 2018
Arbresh.info

Sipas disa shkresave dhe e-mailve zyrtare që i ka siguruar “Zëri” del se Lennart Johansson ishte thuajse mbështetësi më i madh i Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA. Ish-presidenti i UEFA-s qysh në vitet 2006 – 2007 e kishte vendosur rastin e Kosovës në agjendën e UEFA-s.

Për këtë punë suedezi po punonte seriozisht me Albert Bunjakin. Ky i fundit përmes Johanssonit e kishte zgjeruar rrethin te njerëzit me ndikim në UEFA. Por, një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës Johansson ishte detyruar t’ia dorëzojë postin e presidentit Michel Platinit, duke ia lënë “amanet” që ta vazhdojë bashkëpunimin me Bunjakin për rastin e Kosovës. “Zëri” e posedon letrën përmes së cilës Platini e siguronte Johanssonin se do ta ketë parasysh çështjen e Kosovës edhe pse ende nuk e kishte zgjedhur statusin politik.

Pas pak muajsh Kosova do t’i bëjë dy vjet prejse është anëtarësuar në UEFA e në FIFA. Pas dy dekadash nën izolim të plotë futbolli kosovar doli në dritë në maj të vitit 2016 kur UEFA vendosi ta pranojë si anëtare të re Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), të cilën thuajse menjëherë e pranoi edhe FIFA, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Dhe historia e rrugëtimit të Kosovës drejt këtyre dy organizatave mund të shërbejë për një skenar filmi, ku pa dyshim që role të rëndësishme do të luanin ish-presidenti i UEFA-s Lennart Johansson, pasardhësi i tij Michel Platini dhe kosovari i njohur Albert Bunjaki.

Gazeta “Zëri” ka siguruar shkresa zyrtare të cilat dëshmojnë se ish-presidenti i UEFA-s Lennart Johansson, por edhe bashkëpunëtorët e tij e kishin futur në agjendën e tyre rastin e Kosovës qysh para shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Gjithçka po bëhej në heshtje të plotë. Me njerëzit më të mëdhenj të UEFA-s në atë kohë po negocionte Albert Bunjaki, i cili edhe ishte i autorizuar për t’u marrë me këtë punë nga institucioni më i lartë i futbollit në Kosovë, FFK-ja.

Shkresat zyrtare që i ka siguruar “Zëri” krijojnë përshtypje se Johansson me bashkëpunëtorë në vitet 2006 – 2007 sikur po e prisnin vetëm zgjidhjen e statusit politik të Kosovës për t’i bërë pastaj zgjidhje të shpejtë futbollit kosovar që ishte i izoluar në katër anët prej dy dekadash.

Por mandati i Johanssonit dhe i bashkëpunëtorëve të tij në Kryesinë e UEFA-s kishte përfunduar rreth një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në vend të tyre në krye të UEFA-s kishte ardhur Michael Platni me ekipin e tij. Me ta marrë postin e presidentit të UEFA-s Platini ishte njoftuar nga Johansson për rastin e Kosovës, madje suedezi e kishte lutur francezin që ta ketë parasysh këtë punë si kryetar i ri i UEFA-s. Johansson e kishte këshilluar Platinin që të bashkëpunojë me Albert Bunjakin për çështjen e Kosovës. Por francezi hezitonte ta takonte Bunjakin.

E vlerësonte një takim të vështirë. Do të vihej në pozitë të palakueshme. Këtë te Johanssoni po e arsyetonte me situatën politike në rajon. Kosova ishte me fat sepse në Suedi e kishte një njeri të zot, i cili kishte emigruar në shtetin skandinav shkaku i rrethanave politike në Kosovë. Albert Bunjaki si i ri kishte luajtur futboll në lagjen e tij “Ulpiana”, në Prishtinë. Ishte pjesë e klubit më të madh kosovar, Prishtinës, që nga pionierët e deri te ekipi i parë që udhëhiqej nga Ajet Shosholli. Pasioni për futbollin e kishte përcjellë edhe si emigrant në Suedi, ku nuk i ishte ndarë këtij sporti.

Bunjaki atje po e kryente shkollim për trajner, por merrej vazhdimisht me futboll dhe njëkohësisht po bënte shumë miq, figura të njohura të futbollit suedez. Ishte rritur me ëndrrën që përmes futbollit t’i shërbejë vendlindjes.

Dhe, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës e dinte se ndihma më e madhe e tij do të ishte kontributi i afrimit të Kosovës me UEFA-n, gjë që ishte tejet e vështirë të bëhej për vendin tonë. Bunjaki po i shfrytëzonte miqtë e shumtë nga futbolli suedez për ta njoftuar me bashkëkombësin e tyre që po e udhëhiqte futbollin evropian, presidentin e UEFA-s Lennart Johansson.

Këtë Bunjaki e kishte arritur. Qysh në kontaktet dhe në takimet e para me presidentin historik të UEFA-s trajneri kosovar i ishte prezantuar si njeriu i vetëm i autorizuar nga FFK-ja për t’u marrë me anëtarësimin e Kosovës në UEFA. Johansson ishte treguar mirëkuptues për Bunjakin dhe për futbollin tonë.

E kishte vënë Bunjakin në kontakt me njerëz tjerë që kishin pozita të rëndësishme në UEFA, përmes të cilave natyrisht se do të duhej të kalonte rasti i Kosovës. Fillimisht e kishte njoftuar me sekretarin gjeneral të UEFA-s në atë kohë, Lars Krister Olsson, suedezin që vetë Johansson e kishte vënë në atë pozitë të lartë.

Ndërkohë Lars Krister Olsson po negocionte shumë me Bunjakin dhe e kishte njoftuar me një njeri tejet të rëndësishëm – me drejtorin e Asociacioneve të Kombëtareve të UEFA-s, Jacob Erel.

Pas disa shkresave të shkëmbyera, të cilat i ka siguruar gazeta “Zëri”, Bunjaki kishte zhvilluar edhe takim në Stokholm me këtë personalitet me ndikim në atë kohë për të biseduar hollësisht për Kosovën. Kërkohej një zgjidhje e favorshme. Ky takim ishte zhvilluar në njërin prej hoteleve të njohura në kryeqytetin suedez, në një kohë kur politika kosovare në Prishtinë po koordinohej me bashkësinë ndërkombëtare për ta shpallur pavarësinë e Kosovës.

“Unë jam duke i përcjellë zhvillimet në Kosovë dhe shpresoj që bashkësia ndërkombëtare ta gjejë së shpejti një zgjidhje politike për Kosovën. Siç jemi akorduar në Stokholm gjatë takimit tonë, ne duhet ta gjejmë mënyrën për t’i mbështetur aktivitetet e futbollit në Kosovë, veçanërisht të rinjtë”, thuhej në një e-mail që Erel ia kishte dërguar Bunjakit pas takimit të rëndësishëm në Stokholm. Ky e-mail mban datën 06.02.2007.

Në atë kohë po ndodhte një tranzicion në UEFA. Kjo për shkak se pas 16 vjetësh në krye të kësaj organizate miku i Bunjakit, Johansson i humbi zgjedhjet nga Platini, i cili edhe e mori postin e presidentit të UEFA-s. Johansson ia kishte dorëzuar detyrën francezit duke e njoftuar për rastin e futbollit kosovar.

Suedezi po ashtu kishte kërkuar nga Platini që të vazhdojë ta trajtojë seriozisht çështjen e Kosovës dhe i kishte thënë francezit që për këtë punë të flasë vetëm me Albert Bunjakin.

Por, përgjigjja e Platinit ishte: “I nderuari z. Johansson, i referohem letrës suaj dhe dokumenteve lidhur me çështjen e Kosovës. E kam përcjell korrespodencën tuaj me David Taylorin dhe me Jacob Erelin dhe do ta diskutojmë këtë çështje në kohën e duhur. Unë jam i mendimit se është shumë herët ta takoj z. Bunjakin duke e marrë parasysh situatën politike në rajon. Ju siguroj se do t’i kushtojmë vëmendje të plotë kësaj çështjeje”, thuhej në përgjigjen që Platini ia kishte dërguar Johanssonit më 31 dhjetor të vitit 2007 e të cilën e ka siguruar “Zëri”.

Por Bunjaki nuk po dorëzohej. Kërkonte ta mbajë aktuale temën e Kosovës edhe në kryesinë e re të UEFA-s të udhëhequr nga Platini. Bunjaki i ishte drejtuar me një shkresë Gianni Infantinos, i cili tani është president i FIFA-s, kurse atëherë ishte zëvendëssekretar gjeneral i UEFA-s. Bunjaki i prezantohej Infantinos si përfaqësues i Kosovës në bisedime me ish-kryesinë e UEFA-s dhe kërkonte vazhdim bashkëpunimi dhe mirëkuptimi edhe nga kryesia e re.

Përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në UEFA patën nisur para 25 vjetësh. Pas mëvetësimit nga futbolli i ish-Jugosllavisë, FFK-ja për herë të parë kishte aplikuar për anëtarësim në UEFA në vitin 1992. Madje UEFA qysh në atë kohë kishte kthyer letër në adresë të FFK-së.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme