Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i ka ndërruar fjalët rreth së ardhmes të përzgjedhësit Bernard Challandes në postin e shefit të shtabit teknik të Kombëtares së Kosovës.
“Dardanët” e kanë kaluar një vit katastrofal me trajnerin zviceran duke e kaluar plot një vit pa fitore dhe duke e humbur mundësinë ideale për kualifikim në Kampionatin Evropian.
Me Challandesin Kosova i ka kaluar plotë dhjetë ndeshja pa shënuar fitore duke i regjistruar tetë humbje dhe vetëm dy barazime, gjë që ndikoi shumë keq në opinionin e gjerë pasi edhe atmosfera brenda skuadrës ndryshoi me të madhe për të keq.
Nga kjo seri e dobët e rezultateve, përpos që e humb i shansin e mirë për kualifikim në Evropian, Kosova për pak ra sërish në Ligën D të Ligës së Kombeve, duke e siguruar mbijetesën në Ligën C vetëm në xhiron e fundit me një fitore të mundimshme kundër një ekipi si Moldavia.
Duke i parë rezultatet e dobëta dhe presionin publik, presidenti i FFK-së fillimisht e kishte paralajmëruar prishjen e kontratës me Challandesin. Agim Ademi në një prononcim për Radio Kosovën më 21 nëntor kishte thënë se trajnerin në punë e mbajnë rezultatet, të cilat në fakt i munguan Challandesit për më shumë se një vit. Ai kishte theksuar se fillimisht FFK pret t’i mësojë emrat e kundërshtarëve të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2022, e pastaj do të bisedojë me Challandesin.
Kosova dje e kuptoi se do të garojë në grup me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Dhe, pas shortit, Ademi tha se FFK nuk do ta prish kontratën me Challandesin.
“Me Challandesin kemi kontratë, dhe do të vazhdojmë. Ndërsa, me trajnerët e grupmoshave, pas përfundimit të cikleve eliminatore, do të vendosim. Çdo trajner e mbanë rezultati”, deklaroi Ademi dje për “Zerin”.
FFK e ka vazhduar kontratën me Challandesin më 27 gusht të këtij viti për dy vjet të tjera. Kjo ka ndodhur në prag të fillimit të edicionit të fundit të Ligës së Kombeve, ku Kosova mezi arriti t’i shpëtojë rënies nga Liga C në Ligën D.
Brenda këtij edicioni Kosova e ka humbur edhe ndeshjen me Maqedoninë e Veriut duke e humbur shansin ideal për kualifikim në Evropian. FFK-ja është kritikuar ashpër në opinion se si e ka vazhduar kontratën me trajnerin zviceran pa kushtin e kualifikimit në Evropian, ose pa kushtin e së paku kalimit të Maqedonisë Veriore në gjysmëfinale të “Play-Offit”. Në qarqe të ndryshme në futbollin kosovar vazhdimisht hidhen dyshime rreth lidhjes Challandes – FFK dhe thuhet se nuk është e lehtë ndërprerja e bashkëpunimit mes tyre jo vetëm për shkak dëmshpërblimit që FFK duhet t’ia paguajë Challandesit por se situata është më thellësisht e komplikuar se kaq.
Biden në Samitin e G20: SHBA mbështet fuqimisht sovranitetin...
Nesër lansohet dixhitalizimi i fiskalizimit në Kosovë
Gazetari rumun: Nuk mund të bërtasësh “Serbi, Serbi...
Sherr mes 3 të miturve pranë shkollës “Fan Noli”, ndërron je...
Rovena rikthen këngën e saj të parë
Ushtarët e KFOR-it patrulluan në Leposaviq