Google ADS

Prishtina triumfon përballë Trepçës në kryeqytet në sfidën e Superligës në hendboll

21:57 | 27 Mars 2022
KRG

Prishtina e Trepça janë takuar në ndeshjen e fundit të javës së 22-të të Superligës A të Kosovës në hendboll (meshkujt).

Të dielën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, fitore shënoi skuadra e Prishtinës me rezultat 31-24.

Ndeshja ishte e fortë dhe e hapur thuajse deri në fund. Gjysma e pjesës së parë ishte e barabartë, ndërsa në minutat e fundit skuadra vendase krijoi epërsi deri në katër gola, përcjell arbresh.info.

Pas 30 minutave rezultati ishte 16-13. Në mes të pjesës së dytë Trepça u afrua në dy gola, 23-21, 24-22. Por pas rezultatit 26-24, në minutën e 55-të, mysafirët nuk shënuan gol, ndërsa pësuan pesë gola rresht për rezultatin final, 31-24.

Në përgjithësi, Prishtina ka shfaqur më shumë dhe e ka dashur më shumë fitoren, kurse e kishte edhe përkrahjen e madhe të tifozëve.

Oltion Beshiri ishte më efikasi te Prishtina me shtatë gola, shumicën prej tyre nga penalltia. Nga pesë gola i shënuan Festim Mustafa, Albi Gjuka e Lulzim Shabani. Te Trepça, shtatë gola i shënoi Alban Shabani. Gjashtë i shtoi Muhamed Dubovci.

Prishtina forcohet në pozitën e dytë me 37 pikë. Trepça mbetet e katërta me 27 pikë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme