Prishtina reagon ashpër ndaj Federatës dhe gjyqtarëve

22:15 | 6 Mars 2019
A. B.

Prishtina barazoi 1-1 në “Fadil Vokrri” me Feronikelin dhe janë shumë afër ta humbasin garën për titull.

Skuadra nga kryeqyteti fajëson gjyqtarët dhe Federatën për një projekt sipas tyre kundër KF Prishtinës.

Ky është reagimi i tyre:

Reagim nga FC Prishtina

TË PARANDALOHET PROJEKTI KUNDËR FC PRISHTINËS!

Pas presioneve të shumta kohëve të kundër Klubit të futbollit Prishtina dhe ngjarjeve në dy ndeshjet e fundit kampionale, atë me Llapin dhe sot me Feronikelin, jemi të detyruar që të reagojmë, sepse gjykimi në këtë fazë të kampionatit ndaj klubit tonë është i papranueshëm dhe tejet tendencioz.

Ndaj lojtarëve të klubit tonë shqiptohen masa të rrepta, si nga ana e gjyqtarëve, ashtu edhe komisionit të garave.
Në ndeshjen me Llapin, në ndërhyrjen e palejuar pa top ndaj Mankendës, nuk iniciohet procedurë nga komisioni ndaj Benjamin Eminit e as në ndeshje nuk ndëshkohet me karton të kuq edhe pse ndërhyrja bëhet para gjyqtarit kryesor dhe atij të katërt.

Iniciohet procedurë ndaj reagimit instiktiv të lojtarit tonë Khalid, i cili paraprakisht goditet nga mbrojtësi i Llapit Bujar Idrizi. Të dy lojtarët nuk ndëshkohen nga ana e gjyqtarit me kartonë të kuq, por komisioni i garave inicion procedurë ndaj futbollistit tonë dhe e suspendon për ndeshjen e sotme.

Në të njëjtën ndeshje nuk pranohet gol i rregullt i Prishtinës, si dhe nuk gjykohet penallti e pastër në Mankendën edhe pse ishte tërhequr me të dy duart nga futbollisti kundërshtar, çka e nisin krejt incidentin dhe reagimin e lojtarëve të Prishtinës.

Duhet theksuar se sipas informacioneve që ka klubi, gjyqtari merr notë të dobët dhe suspendohet, por klubi jonë dëmtohet rënd dhe jo vetëm këtë herë.

Edhe përkundër incidenteve në ndeshjen e kaluar, komisioni për caktimin e gjyqtarëve dhe kryetari i këtij komisioni që është nga Podujeva, Ruzhdi Breznica,  nuk e sheh të rrugës që në një derbi përcaktues për titull ta gjykojnë gjyqtarët me stemën e FIFA-s. Prishtinës pothuajse asnjëherë nuk i gjykojnë gjyqtarët e FIFA-s.

Prishtina sot u dëmtua rëndë. Prishtina u ndëshkua me katër kartonë të verdhë. Të gjitha ishin ndërhyrje të para. Futbollisti ynë Boshnjaku jo që nuk ishte faull, por paraprakisht ishte i fauluar, gjyqtari nuk e ndali ndërhyrjen ndaj tij, por e sanksionoi ndërhyrjen e pastajme të Boshnjakut.

Me fillimin e pjesës së dytë, Boshnjaku u ndëshkua sërish. Ishte vetëm ndërhyrja e tij e dytë në ndeshje.  Dhe e fundit, kur futbollisti ynë ndodhej përball portës së zbrazët të kundërshtarit, futbollisti mysafir ishte lojtar i fundit dhe nuk u ndëshkua me karton të kuq – ashtu siç e precizon rregullat e lojës së futbollit.

Kjo ishte hera e dytë që kundër pretendentit të njëjtë në dy ndeshjet nga i njëjti gjyqtar të mbesim lehtësisht me një futbollistë më pak në fushë.

Pyesim, i kujt është ky projekti kundër FC Prishtinës?

Pyesim, kush janë këta njerëz që në këtë mënyrë duan të ndalin Prishtinën në këto lloj formash?

Si është e mundur që vetëm Prishtinës nuk mund t’i gjykojnë gjyqtarët me stemë të FIFA-s?

Si është e mundur që Prishtinës i gjykojnë kryesisht vetëm gjyqtarët nga Regjioni  i Mitrovicës?

Një “1-sh” i gjyqtarit nga ana e komisionit të gjyqtarëve a mund t’i kompensoj milionat e derdhur nga klubi?

Kërkojmë nga kryetari i FFK-s, Agim Ademi, Komitetit Ekzekutiv, Sekretarit gjeneral, që urgjent të marrin masa ndaj njerëzve të cilët thirren në emër të Federatës së futbollit të Kosovës dhe t’i përjashtojnë  nga FFK dhe të parandalojnë këtë projekte të rrezikshëm e bizar ndaj klubit tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme