Google ADS

Prishtina e gatshme për Feronikelin: Flasin Josa dhe Haliti

17:48 | 5 Mars 2019
Arbresh Info

Prishtina dhe Feronikeli e zhvillojnë derbin e stinorit pranveror të mërkurën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Feronikeli ka pesë pikë më shumë se Prishtina në renditje para kësaj sfide.

Prishtina do të jetë në mungesën e tre futbollistëve titullar, të suspenduar me kartonë. Kapiteni Armend Dallku, sulmuesi Basid Khalid dhe mbrojtësi i majtë Abdul Bashiru.

Prishtina në tetë ndeshjet e fundit kundër dy-herë kampionëve të Feronikelit nuk ka pësuar humbje, duke i arritur 4 fitore e 4 barazime.

Ndeshja e fundit është mbyllur me rezultat 1-0 në të mirë të Prishtinës me golin e Marjo Morinës të zhvilluar në Drenas.

Josa: Kam besim te skuadra

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa ka thënë se beson te skuadra e tij dhe se ndeshja mund të jetë përcaktuese për fatin e kampionatit edhe pse pas saj janë edhe 12 ndeshje tjera.

“Normale, ndeshja do të ishte përcaktuese si do që të ishte ndeshja. Ne duhet të jemi të qetë, të qetë për faktin që pavarësisht na mungojnë tre lojtarë me kartonë në ndeshje me Llapin dhe po i kthehem sërish asaj ndeshje, do të duhej të ishim shumë më të qetë, të paktën përveç dëmtimit në pikë mos të dëmtoheshim edhe me lojtarët që do të na mungojnë”.

“Megjithatë kam besim te skuadra. Besoj se shumë përcaktuese është ndeshja, por edhe nuk do të thotë që është përcaktuese dhe do të shkojnë të gjitha gjërat, sepse me fjalë nuk bëhet asnjë gjë, por çdo gjë duhet të bëhet me vullnet dhe me aftësi se çfarë do të bëjmë në fushën e lojës”.

“Unë nuk jam i shqetësuar fare, për faktin sepse jam i bindur që skuadra do të shprehet mirë në lojë, pastaj rezultati është një gjë tjetër”, ka thënë kryetrajneri, Josa.

Haliti: Nuk do të hyjmë me eufori, na duhet qetësia

Mbrojtësi i njohur Ahmet Haliti do të jetë në fushë me gjasë nga minuta e parë.

“E njoh shumë mirë skuadrën e Feronikelit ku kam luajtur dy vite aty. Kanë shumë cilësi dhe janë në formë të mirë. Por, neve nuk ka intereson fare ekipi kundërshtar, por ne duhet të shohim vetëm veten tonë”.

“Gabimet që i kemi bërë në ndeshjet e fundit t’i përmirësojmë dhe normalisht në ndeshje të hyjmë vetëm për fitore për ta zbutur distancën që e kanë ndaj nesh”.

“Megjithatë, duhet t’i qasemi me mjaft qetësi ndeshjes, duke mos hyrë me eufori dhe shpresoj që me një lojë të mirë t’i arrijmë tre pikë që janë shumë të nevojshme për ne në këto momente”, ka thënë Ahmet Haliti.

Për këtë ndeshje ka interesim të madh të tifozëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme