Presidenti i ri i Milanit zbulon ‘dënimin’ për Donnarumman

11:50 | 17 Qershor 2017
Arbresh.info

Gianluigi Donnarumma ka refuzuar vazhdimin e kontratës në Milan.
Gianluigi Donnarumma dhe Milani janë në prag divorci, por ndoshta mund të vazhdojnë të jetojnë të ndarë edhe nën çatinë e të njëjtës “shtëpi”. Pas refuzimit të ofertës për rinovim, 25 milionë euro në total për 5 vite, menaxheri Mino Raiola e shtyn atë drejt Realit të Madridit, ndonëse në sfond mbetet edhe Juventus.

Pas këtij akti që nuk u finalizua me sukses, ka ardhur edhe një kërcënim i frikshëm, i cili mund të tronditë jo pak karrierën e futbollistit në fjalë. Ndërsa të gjithë zërat e shohin atë me valixhe në dorë drejt Spanjës, e përditshmja “Il Giornale” lëshon bombën, sipas së cilës, presidenti i kuqezinjve, Jonghong Li, mund të vendosë që ta përjashtojë lojtarin nga skuadra për sezonin e ardhshëm, por pa e lënë që të largohet nga Milani, përcjell “Panorama Sport”.

Kjo, në shenjë hakmarrjeje, pasi zemërgjerësia e tij u shty në një mënyrë pak elegante nga menaxheri dhe nga vetë “Xhixho”. Donaruma ka edhe një vit të fundit kontratë me “Djallin” dhe kjo do të thoshte se klubi në verën e ardhshme nuk do të arrinte të fitonte asnjë qindarkë nga largimi i tij, por Jonghong Li, me këtë gjest mendon të tregojë qëllimet e tij serioze dhe dorën e hekurt që i pret të gjithë “kapriçozët” në ekip.

“Kam shpenzuar 800 milionë euro për të blerë Milanin, prandaj nuk besoj se, nëse nuk arrij të fitoj 40 milionë euro prej shitjes së tij do të falimentoj. Për këtë arsye, Donaruma do të kalbet në stol deri në fund të kontratës së tij, meqenëse nuk i është dukur e denjë oferta jonë për të rinovuar kontratën.

Pasi të ngrohë stolin, mund të largohet i qetë verën e ardhshme…”. Me pak fjalë, çështja “Donaruma” pritet të shndërrohet në një luftë nervash në kampin kuqezi…

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme