Google ADS

Presidenti i FFK-së: Challandes do të jetë me ne deri në pensionim

13:38 | 18 Tetor 2019
Arbresh Info

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se trajneri Bernard Challandes do të mbetet në pozitën e trajnerit të “Dardanëve” deri në pensionim, për shkak të punës që ai e bën me skuadrën.

Që kur u emërua trajner i Kosovës më 2 mars të vitit 2018, pas largimit të Albert Bunjakit, Bernard Challandes e ka shijuar një rekord fantastik me Kosovës, duke e pësuar vetëm një humbje në 17 ndeshje të zhvilluara, transmeton Gazeta Express.

Gjatë këtyre 17 ndeshjeve të zhvilluara, ai ka arritur t’i fitojë 11 e t’i barazojë pesë të tjerat. Me rezultatet e arritura, trajneri zviceran ndihmoi që Kosova ta fitojë Grupin D3 të Ligës së Kombeve dhe ta sigurojë një vend në play-offs, nga ku mund të kualifikohet në EURO 2020 nëse s’arrin ta zë njërën nga dy vendet e para në Grupin A.

Të gjitha këto arritje të Challandes, por edhe puna e tij me grupmoshat e reja dhe për rekrutimin e talenteve, kanë bërë që Agim Ademi të besojnë se trajneri do të jetë me Kombëtaren e Kosovës deri në pensionim.

“Challandes do të jetë me neve deri në pension. Dihet që trajnerët mbahen me rezultate, por Challandes bën punë jo vetëm me pjesën e ekipit A, por është shumë i angazhuar edhe në punë tjera”, ka thënë Ademi për Zëri.

“Ne e kemi një sistem bazik se si t’i ngremë talentet tona të reja. E kemi parë që futbollistët e moshave të njëjta nuk kanë zhvillim të njëjtë. Pra për ata që jetojnë këtu ka ngecje nga moshatarët e tyre që jetojnë në Zvicër e në Gjermani dhe me Challandes po e bëjmë punën ta fusim të njëjtin mentalitet, që të jetë i barabartë zhvillimi i talentit këtu më atë të Evropës”.

“Ne jemi duke e kërkuar fajtorin pse nuk po zhvillohet talenti këtu si duhet, a është faktori infrastrukturë, puna profesionale ose çështja ekonomike? Këtë jemi duke e hulumtuar me ekspertë dhe bashkë me Challandes po shohim ta gjejmë zgjidhjen më të mirë”.

Challandes do të tentojë ta vazhdojë ecurinë e mirë të Kosovë edhe në muajin nëntor – kur Kosova i zhvillon dy ndeshje tejet të rëndësishme, kundër Çekisë si mysafire më 14 nëntor e pastaj në shtëpi kundër Anglisë më 17 nëntor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme