Përzgjedhësi i Kombëtares U21, Rafet Prekazi dhe futbollisti Lirim Kastrati janë shfaqur optimistë për ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, që do ta zhvillojnë më 15 tetor në Elbasan kundër Shqipërisë. Dardanët e rinj do t’i nisin sot përgatitjet për këtë ndeshje me stërvitjen që do ta zhvillojnë në orën 15:00 në stadiumin e Feronikelit.
Pasi e ka bërë publike listën e futbollistëve për këtë ndeshje, Prekazi është shfaqur optimistë se ekipi i tij do të vazhdojë serinë e paraqitjeve të mira, teksa ka pranuar se nuk ka qenë dëshirë e tij të jetë në të njëjtin grup me Shqipërinë.
“Kjo do të jetë një ndeshje si të gjitha tjera. Nuk merrem shumë me ekipin kundërshtar sa i përket lëndimeve, sepse edhe ne kemi problemet tona. Futbolli modern është agresiv dhe në një futboll të tillë lëndimet janë të mundshme. Sido që të jetë edhe në këtë ndeshje do të shkojmë të luajmë me krenari për këtë shtet dhe me përgjegjësi të madhe. Kur Shqipëria shkoi në Kampionatin Evropian 9 lojtarë kanë qenë me prejardhje nga Kosova dhe të gjithë jemi gëzuar bashkërisht. Pra, nuk ka ndarje mes nesh. Futbolli është futboll. Personalisht nuk kam dashur që të jemi në të njëjtin grup me Shqipërinë, por tash duhet të japim më të mirën në fushë. Le të fitojë ai që e ka ditën dhe të jetë lojë korrekte. Mendoj se Kosova me paraqitjet që po i bën dhe me kualitetin që ka do të jetë një mini-Kroaci”, ka theksuar Prekazi, i cili për shkak të lëndimit nuk do të ketë në dispozicion Arton Zekajn.
Ndërkaq, Lirim Kastrati e vlerësoi duelin me kuqezinjtë si të veçantë duke pasur parasysh se ballafaqohen vëllezërit e një kombi, mirëpo tha se në fushë do të japin maksimumin për fitore.
“Unë mendoj që ka me qenë një ndeshje e mirë, sepse është e veçantë pasi të gjithë që zbresim në fushë do të jemi shqiptarë. Por ne do të japim maksimumin për të pasur rezultat të mirë dhe për të ecur përpara në grupin tonë. Edhe vetë kam luajtur me Shqipërinë me U17 dhe kam shokë atje, por kur hyj në fushë nuk mendoj asgjë tjetër përveç lojës dhe e jap maksimumin për shtetin tim”, ka thënë Kastrati.
Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës luhet më 15 tetor.
Agjenda
9 tetor
15:00 Stërvitje (stadiumi i Feronikelit)
10 tetor
11:00 Stërvitje (stadiumi i Feronikelit)
11 tetor
15:00 Stërvitje (stadiumi i Feronikelit)
12 tetor
15:00 Stërvitje (stadiumi i Feronikelit)
13 tetor
10:00 Stërvitje (stadiumi i Feronikelit)
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...
Mustafa i reagon Kurtit për doracakët, e publikon deklaratën...
Franca ‘gjunjëzon’ Italinë, Belgjika pëson ndaj Izraelit
Sërish protestohet në Novi Sad