Google ADS

Ponte Prizreni fiton me vështirësi ndaj Pejës

22:22 | 11 Janar 2020
A. B.

Ponte Prizreni ka shënuar fitore ndaj Pejës me rezultat 96:92 (20:23, 30:25, 20:19, 26:25) në kuadër të javës së 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Takimi në Prizren ka qenë shumë interesant, i barabartë dhe me shumë kthesa, derisa fituesi është vendosur vetëm në minutën e fundit të ndeshjes.

Dëshirën e madhe për të fituar të dy skuadrat e treguan nga fillimi i ndeshjes, derisa mysafirët e fituan çerekun e parë 20:23. Ndeshja vazhdoi të ishte interesante, por në periudhën e dytë vendasit ishin më të mirë dhe e fituan 30:25, kurse skuadrat shkuan në pushim me rezultat 50:48.

Edhe në pjesën e dytë sfida ishte shumë e barabartë. Ponte e fitoi periodën e tretë ngushtë 20:19, ashtu si dhjetë minutat e fundit 26:25, për të shënuar fitore në fund me rezultat 96:92.

Te Ponte Prizreni u dalluan Urim Zenelaj me 25 pikë e 19 kërcime dhe Andre Wolford e Ty Nichols me nga 19 pikë, ndërsa te Peja u dallua dyshja Dardan Berisha me 35 pikë e 11 kërcime dhe Drilon Hajrizi me 24 pikë.

Ponte Prizreni tani ka 10 fitore dhe shtatë humbje, kurse Peja nëntë fitore dhe tetë humbje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme