Google ADS

Policia e Kosovës ndalon ‘Dardanët’, i gjobit me të holla

16:01 | 9 Qershor 2019
Arbresh.info

Tifozët e Kosovës, “Dardanët” kanë marrë rrugë për në Bullgari për t’i qëndruar afër Përfaqësueses sonë para ndeshjes me bullgarët.

Por udhëtimi i tyre nuk ka nisur siç është më së miri, pasi ende pa e lëshuar territorin e Kosovës kanë pasur probleme.

Në momentin që tifozët janë ndaluar për të bërë një fotografi të përbashkët, ata kanë hasur në probleme nga Policia e Kosovës, raporton “Telegrafi”.

Një tifoz që ka marrë rrugën për Bullgari, i ka thënë ekskluzivisht “Telegrafit” se janë malltretuar nga Policia e Kosovës.

“Jemi nisur në mënyrë të organizuar si gjithmonë për ta përkrahur Përfaqësuesen e Kosovës. Por në autostradën Prishtinë – Shkup jemi ndaluar për të bërë një foto së bashku”.

“Në atë moment kanë ndalur edhe Policia e Kosovës që kanë pasur sjellje shumë të ulët ndaj nesh. Kemi marrë një dënim prej 60 eurosh, ndërsa sjellja e tyre lë shumë për të dëshiruar”.

“Dy policët me numrat 8897 dhe 8644 janë sjellë shumë keq, duke na thënë se nuk dëgjojnë për njeri të gjallë. Në vend se të kenë konsideratë si tifo grup i Përfaqësueses, ata sillen me ne në mënyrë katastrofike duke na mbajtur në atë vend për një orë”, tha për Telegrafin një tifoz që nuk deshi t’i përmendet emri por që i ka dërguar imazhet.

Gjithsesi edhe pas kësaj ndalese prej një orësh, tifozët kosovarë kanë vazhduar rrugën drejt kryeqytetit të Bullgarisë, Sofje.

Vetëm nga Kosova pritet që të jenë mbi 500 tifozë, ndërsa një numër i madh i tifozëve kosovarë pritet të mbërrijnë në Sofje nga diaspora.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme