Ivan Balliu, përforcimi i Kombëtares shqiptare, ka treguar se si nuk e ka ditur që ka prejardhje shqiptare. Ai ka folur edhe për aventurën te Barcelona.
Ivan Balliu nuk e kishte imagjinuar në kohën kur luante me të rinjtë e Spanjës që një ditë do të përfaqësonte Shqipërinë.
Mbrojtësi i djathtë i Metzit u grumbullua nga trajneri italian, Christian Panucci dhe diçka e tillë ishte surprizuese për lojtarin në prag të sfidave me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë.
Por, historia e Balliut është shumë shumë kurioze. Balliu nuk e dinte që kishte rrënjë shqiptare, por Federata Shqiptare e Futbollit zbuloi që lojtari kishte prejardhje shqiptare dhe në këtë mënyrë mund të përfaqësonte Kombëtaren kuqezi.
“Në prill më telefonuan dhe pata një takim me presidentin Armand Duka. Më pyetën për rrënjët e mia. Kjo gjë është tipike shqiptare. Pastaj nisën kërkimet dhe rezultoi që nga ana e babait kisha prejardhje shqiptare. Diçka të tillë nuk e dija, sepse kisha humbur kontaktet me këtë pjesë”, ka thënë mbrojtësi shqiptar për gazetën “Marca”.
Mirëpo, ai mund të debutonte më parë me këtë fanellë. “Fola me ish-trajnerin De Biazi përpara sesa ai të largohej. Më kërkoi për ndeshjet e luajtura në qershor, por për çështje dokumentacioni nuk munda”, tregon ai.
“Jam duke punuar shumë mirë. Të gjithë po më ndihmojnë që të rritem dhe të përmirësohem. Jam shumë i lumtur që u grumbullova në Kombëtare. Për mua është një hap shumë i rëndësishëm. Të jesh pjesë e një ekipi kombëtar të shton një plus më shumë si lojtar. Do të luaj ndeshje të mëdha, kundër ekipeve të mëdha dhe kjo më bën shumë të lumtur”, tha Balliu.
SPANJA DHE BARÇA
Në muajin e ardhshëm, Balliu do të luajë një ndeshje shumë speciale. Shqipëria do të vizitojë Spanjën dhe më pas do të luajë me Italinë.
“Janë ekipet më të forta të grupit. Ndeshja kundër Spanjës do të jetë shumë speciale për mua. Kam miq të mirë në këtë ekip. Kam luajtur me ta dhe shpresoj që t’i takoj sërish në fushën e lojës. E kam fjalë për Bartra, Serxhi Roberton, Tiago Alcantara dhe Iskon. Do të jetë diçka e bukur dhe argëtuese”, tha mbrojtësi.
Balliu u krijua në akademinë e Barcelonës dhe luajti me ekipet e moshave që nga 12 deri në 21 vjeç
Ishte kapiten i të rinjve dhe madje arriti të grumbullohej dy herë në fazën përgatitore me ekipin e parë.
“Kam udhëtuar me Guardiolën ashtu si me Vilanovën. U jam shumë mirënjohës për atë që kanë bërë për mua. Më ndihmuan, më korrigjuan kur bëja gabime dhe më flisnin për të kuptuar më mirë”, deklaroi ai.
” Të bënin të ndiheshe një lojtar i rëndësishëm. Mirëpo vendosa të largohesha nga Barcelona, sepse në atë moment kishte lojtarë si Dani Alvesh dhe Montoja. E kisha shumë të vështirë që të gjeja minuta. Për këtë fakt, vendosa të gjeja një tjetër skuadër”, vazhdoi më tej lojtari kuqezi.
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...