Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave zhvillon stërvitjen e fundit para ndeshjes së kundër Sllovenisë

09:36 | 10 Mars 2020
A. B.

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së kundër Sllovenisë. Kjo ndeshje luhet në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021.

Dardanet pas humbjes së të premtes nga Rusia kanë zhvilluar tri seanca stërvitore. Të parën e kanë mbajtur mëngjesin e së shtunës në Wiesbaden, të dielën kanë stërvitur në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, derisa mbrëmë kanë zbritur në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, aty ku sot në orën 18:00 do ta zhvillojnë duelin me sllovenet.

Gjatë këtyre dy ditëve përzgjedhësja Afërdita Fazlija me asistentët e saj Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli kanë punuar në aspektin psikologjik me ekipin, në mënyrë që motivi për këtë ndeshje të jetë në nivelin e duhur.

Po ashtu, rëndësi e madhe iu ka kushtuar edhe rreshtimit të skuadrës, sidomos në repartin e mbrojtjes, duke pa sur parasysh pësimin e lehtë të golave në ndeshjen e kaluar.

Do theksuar se për ndeshjen kundër Sllovenisë do të mungojnë Besiana Reçica dhe Flaka Asllanaj, të cilat kanë obligime të provimeve shkollore në vendet ku jetojnë, derisa në kombëtare pritet të debutojë Edona Kastrati.

Përzgjedhësja Afërdita Fazlija deklaroi se gjatë këtyre dy ditëve janë përpjekur të bëjmë rigjenerimin e forcave dhe se më shumë është punuar në aspektin psikologjik, pasi ndeshja me Rusinë sipas saj ka qenë me ngarkesa të mëdha dhe vetë forma e pësimit të golave nga vashat dëshmon për një gjë të tillë.

“Jemi përpjekur maksimalisht që t’i evitojmë gabimet e shfaqura në ndeshjen paraprake, në mënyrë që të mos marrim gola të tillë naiv. Sllovenia ka ekip shumë të mirë, ndoshta për një nuancë edhe më të mirë se Rusia, por ne jemi në avantazh se luajmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Vajzat do të japin maksimumin dh e pres që të dalim me rezultat pozitiv”, tha Fazlija.

Ndërsa Blerta Shala tha se për ndeshjen e sotme pret një angazhim të madh nga të gjitha lojtaret.

“Shpresoj që kësaj radhe do ta administrojmë lojën më mirë dhe nuk do t’i përsërisim gabimet e ndeshjes së kaluar. Pres që të kemi më shumë kombinime dhe të arrijmë më lehtë të ndërtojmë aksione për të gjetur golin. I gjithë ekipi është i motivuar, andaj shpresoj të kemi rezultat pozitiv”, tha ajo.

Kurse Besarta Leci kujtoi se përballja me Slloveninë nuk do të jetë aspak e lehtë, por ekipi është i motivuar për të dhënë më të mirën në shtëpi.

“Këto dy ditë kemi punuar që të mos i bëjmë gabimet e njëjta sikur me Rusinë dhe tash mbetet që të hyjmë me kurajë në fushë dhe të synojmë rezultatin pozitiv për t’i kënaqur edhe tifozët tanë në tribuna, të cilët janë motivuesit tanë në çdo ndeshje”, përfundoi ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme