Google ADS

Përdhunoi 22-vjeçaren shqiptare, zbardhen bisedat që e dënuan me 9 vite burg Robinho

11:14 | 18 Tetor 2020
Arbresh.info

Është rihapur çështja e Robinho, lidhur me përdhunimin e një vajze me prejardhje shqiptare.

“Unë jam duke qeshur, sepse kjo histori nuk më intereson. Gruaja ishte plotësisht e dehur, ajo as nuk e di se çfarë ka ndodhur”. Kjo është vetëm një nga deklaratat e shumta të ish-lojtarit të Milanit, Robinho, të cilin Santos vendosi ta pezullojë. Reporteri Lucas Ferraz siguroi dokumentet e dënimit, që vërteton akuzën ndaj futbollistit, i shpallur fajtor për një përdhunim në vitin 2013 në Milano. Në këto dokumenta anë transkriptimet e bisedave telefonike që Robinho kishte me disa miq në muajt vijues, duke folur për atë që ndodhi në një disko në kryeqytetin lombard.

Fakti daton që nga nata e 22 janarit 2013. Në një klub të njohur në zonën e Bicocca, sulmuesi i atëhershëm i Milanit dyshohet se abuzoi seksualisht me një vajzë me origjinë shqiptare (22 vjeçe në atë kohë), së bashku me 5 persona të tjerë. I marrë në pyetje më 2014, Robinho mohoi akuzat, duke folur për një marrëdhënie konsensuale. Sidoqoftë, në vitin 2017 drejtësia e dënoi me 9 vite burg, së bashku me mikun e tij Ricardo Falco. Përgjimet e publikuara nga “Globo”, rrjeti kryesor televiziv në Brazil, kanë të bëjnë me disa biseda telefonike që ndodhën pas ngjarjeve midis dy miqve. Këto regjistrime ishin thelbësore në fazën e gjykimit, për ta dënuar, sepse ato do të konfirmonin fajësinë e lojtarit dhe mikut të tij.

Në transkriptime, Robinho flet për seks oral dhe iu përgjigjet pyetjeve të miqve, që kujdesen për të, pas hapjes së një hetimi. “Globo” raportoi se avokati italian i Robinhos, Alexsander Guttierres, nuk pranoi të komentonte në lidhje me përgjimin, duke shpjeguar se edhe në Gjykatën e Apelit, mbrojtja do të vazhdojë të argumentojë se marrëdhënia ishte konsensuale. Sidoqoftë, ekskluziviteti i gazetarit brazilian po i shton “karburant” debatit që është ndezur në Brazil rreth kthimit të lojtarit në vendlindjen e tij. Shumë tifozë të Santos kanë kritikuar ashpër zgjedhjen e klubit për të nënshkruar me një person të dënuar për përdhunim (në shkallën e parë). Dhe në fakt, dje u vendos zgjidhja konsensuale e kontratës.

Ekstradimi? Rreziku është aty. Drejtësia italiane duhet të dërgojë një kërkesë zyrtare në Brazil, vend i cili më pas duhet të bëjë një vlerësim të brendshëm. Një proces i gjatë dhe i përpiktë me një rrezik real, mbase i ulët, por akoma konkret, i cili megjithatë nuk duket se ndikon aq shumë te lojtari sa klubi.

Kontrata që Robinho kishte nënshkruar me ish-ekipin e tij kishte një kohëzgjatje prej 5 muajsh. Paga bazë ishte pothuajse simbolike: pak më shumë se 220 euro, me një premio prej 45.000 euro pas 10 ndeshjeve. Kontrata parashikonte mundësinë e zgjatjes deri në dhjetor 2022. Pas debutimit, për Robinho (Robson De Souza, i lindur në shtetin e Sao Paulo më 25 janar 1984) ishte kthimi i tretë me fanellën e Santos, me të cilën shënoi 109 gola në 246 ndeshje, duke fituar 2 kampionate kombëtare dhe një kupë braziliane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme