Për herë të parë në histori të Ligës Premier, gjyqtari i ndeshjes do të mbajë një videokamerë në kokë

20:39 | 6 Maj 2024
E.G

Një gjyqtar i Ligës Premier do të mbajë një videokamerë në trup për herë të parë në histori të ligës në ndeshjen që do të luhet sot (e hënë) mes Crystal Palace dhe Manchester United.

Gjyqtari Jarred Gillett do të përdorë një paisje të montuar në kokë të quajtur ‘RefCam’ për të ofruar lojën nga pikëpamja e një gjyqtarit si dhe për qëllime edukuese lidhur me punën që kryejnë gjyqtarët.

Pamjet nuk do të transmetohen në kohë reale për shikuesit, por do të jenë në dispozicion më vonë gjatë këtij viti kur Liga Premier do të krijojë një program special.

Kërkesa që gjyqtarët të mbajnë një videokamerë për të reduktuar mospajtimet me lojtarët lidhur me vendimet që marrin ka qenë një temë e rregullt për diskutim për ligjvënësit e futbollit në vitet e fundit.

Në muajin shkurt, Federata e Futbollit nisi lansimin e një pilot-projekti – të parin të llojit të vetë në botë në ligat amatore, pasi iu dha leja nga Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit.

Gjyqtari Rob Jones gjithashtu kishte mbajtur një videokamerë në gjoksin e tij në një miqësore gjatë parasezonit mes Chelseat dhe Brightonit në korrik.

Për më shumë paisja e montuar në kokë ‘RefCam’ ishte mbajtur edhe nga gjyqtari gjerman Daniel Schalger në barazimin 2-2 mes Eintracht Frankfurtit dhe Wolfsburgut.

“Teknologjia përfshin një pajisje të montuar në kokë, e cila është e integruar në sistemin e zakonshëm të komunikimit të gjyqtarëve”.

“Përdorimi i tij për qëllime edukative është miratuar nga IFAB, Liga Premier, PGMOL dhe të dy klubet. Ne dëshirojmë të falënderojmë Crystal Palace dhe Manchester United për mbështetjen e tyre me këtë projekt”, tha Liga Premier në një njoftim të ri./Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme