Google ADS

Peja fiton duelin dramatik ndaj Sigal Prishtinës

22:01 | 4 Dhjetor 2024
E.G

Peja ka triumfuar në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 74:71, në një sfidë plot rivalitet dhe dramë deri në fund.

Ndeshjet e Kupës për meshkuj nisën të mërkurën, ku vëmendjen kryesore e tërhoqi përballja mes dy rivalëve të vjetër.

Peja e ka mbyllur çerekun e parë në epërsi 20:16, por Prishtina ka reaguar fuqishëm duke fituar çerekun e dytë 23:21.

Çereku i tretë i ka takuar Prishtinës, e cila ka krijuar një epërsi prej tetë pikësh, 56:48, por vendasit kanë ngushtuar diferencën në katër pikë, 58:54.

Çereku i katërt ka nisur me një treshe vendimtare të Dardan Berishës që e ka kaluar Pejën në epërsi, 59:58. Nga ai moment, vendasit kanë arritur ta ruajnë kontrollin dhe të sigurojnë fitoren.

Tristan Ikpe ka qenë lojtari më i mirë te Peja me njëzet e tri pikë e gjashtë kërcime. Dardan Berisha kontribuoi me gjashtëmbëdhjetë pikë, ndërsa Jacquez Yow ka shtuar dhjetë pikë e shtatë kërcime. Amin Hot ka spikatur me nëntë pikë, katër kërcime dhe pesë asistime.

Te Prishtina është dalluar Josh Nzeakor me njëzet e dy pikë dhe tetë kërcime, ndërsa Damiree Burns ka regjistruar nëntë pikë e dhjetë kërcime.

Ndeshja e kthimit, që do të zhvillohet në Prishtinë, do të përcaktojë gjysmëfinalistin.

Ndërkohë, të enjten do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera çerekfinale: Proton Cable Prizreni përballet me Trepçën, ndërsa Bora me Bashkimin.

Fituesit përfundimtarë të çerekfinaleve do të mësohen pas ndeshjeve të kthimit javën e ardhshme./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme