Pas transferimit të Ugartes, Man United synon një tjetër yll të PSG-së

17:47 | 20 Korrik 2024
E.K

Manchester United mbetet me shpresë se mund të nënshkruajnë me mesfushorin e Paris Saint-Germainit, Xavi Simons, përkundër raportimeve se ai ka arritur marrëveshje personale me Bayern Munichun.

21-vjeçari tash e sa kohë ka qenë në radarin e ‘Djajve të Kuq’ ndërsa interesimi i tyre është rritur edhe më shumë pas paraqitjeve të mira në Euro 2024.

Sipas L’Equipe, Erik ten Hag thuhet se është një fans i madh i lojës që bën adoleshenti i PSG-së, dhe e vlerëson shumë versatilitetin e tij duke ditur se mund të luajë në një rol më qendror në sulm, por edhe në krah.

Arritja e një marrëveshjeje mund të mos jetë aq e lehtë, duke marrë parasysh se PSG-ja refuzoi 42 milionë euro për holandezin verën e kaluar, dhe kampioni francez besohet se e ka ngritur vlerën e kartonit të tij pas Kampionatit Evropian 2024.

Për më shumë, Unitedi supozohet se do të tentojë t’ia ‘rrëmbejë’ nga duart këtë marrëveshje Bayernit, pasi sipas raportimeve ata tashmë kanë gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarin.

PSG thuhet se është gati që të bëjë biznes me Unitedin, sidoqoftë, dy klubet duhet fillimisht të punojnë në marrëveshjen 60 milionëshe për mesfushorin uruguaian, Manuel Ugarte.

Transferimi i Simons tek Unitedi mund të bëhet më i lehtë nëse intervenon legjenda holandeze Ruud van Nistelrooy, i cili së fundmi u bë pjesë e stafit të ten Hag.

Simons kishte kaluar sezonin 2022/2023 në huazim tek PSV-ja aty ku gjatë asaj kohe trajner ishte pikërisht van Nistelrooy./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme