Google ADS

Pas refuzimit të kërkesës nga Komuna, KB Peja del me një komunikatë zyrtare lidhur me “Final 4” të Ligës Unike

16:35 | 18 Prill 2022
KRG

KB Peja ka konfirmuar se “Final 4” i Ligës Unike do të mbahet në palestrën “Karagaçi” më 20 dhe 21 prill.

Klubi pejan mori organizimin nga Liga Unike, por pastaj ishte në dyshim nëse “Final 4” i kësaj gare do të mbahej në qytetin e Pejës.

Deri te kjo erdhi pasi Komuna e Pejës, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, refuzoi kërkesën nga KB Peja, Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Federata e Basketbollit e Shqipërisë për vendosjen e reklamave në palestrën “Karagaçi”.

Pavarësisht kësaj dhe zhgënjimit të shprehur nga klubi pejan, ky klub sot ka njoftuar se “Final 4” i Ligës Unike do të mbahet në qytetin e tyre.

Mes tjerash, KB Peja ka njoftuar se Bordi i klubit ka vendosur që ta organizojë këtë event në Pejë, duke sakrifikuar mjetet tona nga buxheti aktual.

Komunikata e lëshuar nga KB Peja:

“Të nderuar tifozë të KB Peja dhe adhurues të basketbollit kosovar, siç ju kemi njoftuar ditë më parë, klubi jonë ka marr në organizim Final 4 të Ligës Unike. Ky event i cili i bashkon dy shtetet, Kosovën dhe Shqipërinë, do ishte një mundësi për neve të tregojmë një organizim dhe spektakel që do ju mundësonte adhuruesve të basketbollit të kënaqen me basketboll. Në Pejë në muajin Shkurt kemi organizuar edhe Final 8 dhe çdo gjë ka shkuar shumë mirë duke i ofruar kështu qytetit ngjarje qe ju ka munguar për një dekadë.

Por duhet të ju njoftojmë që jemi thellë të zhgënjyer me mospërkrahjen nga Komuna e Pejës, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në qytetin tonë, për eventin e Final 4. Me mos aprovimin e kërkesës së parashtruar nga KB PEJA, FBK dhe FBSH dhe të protokoluar në DKRS, për vendosjen e reklamave në parket, siç thotë pika 7 (Brendimi i Palestres) e kontratës në mes të KB PEJA dhe Liga Unike, e gjithë kjo ngjarje është vënë në dyshim të organizimit të kësaj ngjarje të madhe me rëndësi sportive dhe kombëtare.

KB Peja tash e sa kohë nuk përkrahet financiarisht nga Komuna e Pejës, që njëherit jemi të vetmit në Superligë dhe Ligë Unike pa përkrahje financiare nga Komuna. Dhe kjo që në fillim të sezonës na vendos në pozitë të pabarabartë me kundërshtaret tonë. Por fal sponsorëve dhe tifozëve tonë kemi vazhduar të organizohemi në mënyrë sa më të mirë duke qenë ekipa e dytë më e trofeshme në Basketbollin e Kosovës dhe ekipa me më së shumti tifozë në Komunen tonë.

Por, me vendimin e Komunës së Pejës për ndalimin e vendosjës se reklamave në parket e vështërson edhe më shumë organizimin tonë. Këto reklama janë të lejuara në të gjitha palestrat e Kosoves. Komuna nuk mund të mjaftohet duke thënë se terminet dhe vendosja e reklamave led janë të mjaftueshme. Me ndalimin e reklamave drejtpërdrejt ndikon në të hyrat e ekipes dhe sukseset e saja dhe kjo është e pakuptim sepse për dallim nga ekipet tjera, ne nuk po ju bëhemi barrë financiare e taksapaguesve të Komunës dhe po funksionojmë me të hyra nga sponsorët tonë.

Pra, të gjitha klubet e Superligës së Kosovës në Basketboll, shfrytëzojnë palestrat, terminet, reklamat dhe të gjitha hapesirat e tjera përcjellëse dhe krejt në fund marrin edhe shuma financiare si klube prioritare. Kurse DKRS-ja, në Pejë mendon që me disa hapesira në palestër ka mjaftuar përkrahja dhe kaq. Këto janë disa hapësira të cilat KB PEJA, i shfrytëzon nga viti 2011, vende këto të cilat janë krijuar nga kreativiteti jonë, për të mbuluar mos përkrahjen financiare më vite të tëra. KB Peja, si një ndër klubet më të organizuara në vend viteve përveç sponsorëve lokal nga Peja kemi edhe sponsorë nga e gjithë Kosova dhe kompani ndërkombtare, do të duhej të ishte një krenari për Komunen dhe një partner që së bashku të promovojmë sportin dhe turizmin në ngjarje të tilla.

KB Peja është ikonë e qytetit dhe ky vend jeton për basketboll. Mund të vështërsoni organizimin, ose edhe ta anuloni të gjithin, por jo edhe dashurinë tonë për basketboll. Mund edhe të na përjashtoni nga palestra Karagaçi, çka nuk do ishte befasi, por klubi jonë do vazhdoj të fitoj dhe të sjell trofe në qytetin e Pejës.

Gjithashtu jemi thellë të prekur me deklaraten në media e shefit të zyrës së sportit në DKRS, Valdet Shoshi, i cili në menyrë skandaloze fyen rëndë KB Pejën dhe tifozët e saj duke deklaruar “le të shkojnë le të luajnë në Gjakovë a Prizren, ku të ja u qet ma mirë”. A është kjo përgjigja të cilen duhet ta marr një ndër ekipet më të suksesshme kosovare?

Presim në reflekim nga Komuna e Pejës për zgjedhjen e këtyre problemeve duke e gjetur një zgjidhje sa më të mirë dhe të qendrojmë larg vendimeve dashakeqe plot inat të cilat vetem sa e damtojnë sportin kosovar.

Pas takimit me ekipen, duke mos dashur të krijojmë probleme teknike dhe psikologjike te lojtarët tonë, por edhe duke mos dashur ti malltretojmë me mijëra tifozë e qytatarë të Pejes, Bordi i ekipes ka vendos që ta organizojmë eventin në Pejë duke sakrifikuar mjetet tona nga buxheti aktual për ta organizuar eventin pasi që sponzorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të gatshem ta përkrahin këtë event duke u reklamuar në hapsirat ne parket janë terhekur.

Një falemnderim shkon edhe për Federatën e Basketbollit të Kosovës, Federaten e Basketbollit të Shqipërisë dhe Ligen Unike të cilët na mirëkuptuan edhe pse Pika 7 e marrveshjes nuk po përmbushet (stickerat nuk po vendosen në parket). Duke u gjendur përball një situate absurde të krijuar panevoj nga Komuna e Pejës, ata vendosen ta lejojne organizimin përkunder qe sponsoret e Federatave nuk do vendosen bazuar në marrveshje.

Dhe për fund një falemnderim i madh shkon për sponsoret tonë të cilet janë e vetmja përkrahje që na mundëson të i gëzojmë tifozet tonë me fitore dhe trofe.

Sinqerisht,

KB Peja”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme