Pas 20 viteve, Robert Gjeraj pensionohet nga futbolli

12:22 | 6 Korrik 2023
KRG

Futbollisti i njohur nga Kosova, Robert Gjeraj ka konfirmuar sot (e enjte) pensionimin e tij nga futbolli aktiv.

Pas më shumë se 20 viteve futboll aktiv, lojtari i gjithanshëm prizrenas ka vendosur të varë ‘këpucët në gozhdë’ në moshën 39-vjeçare.

Ish-lojtari i shumë klubeve nga Kosova dhe i Përfaqësueses në sezonin e fundit luajti te klubi i vendlindjes, Liria, ku ishte njëri nga më meritorët në rikthimin e prizrenasve në Superligë.

Gjeraj njoftimin e pensionimit e ka bërë në profilin e tij privat në Facebook, ndërsa ka falënderuar të gjitha klubet ku ka luajtur nga Shkolla e Futbollit Shkëndija nga Prizreni, Lirinë, Getoarin, Besën, Vëllaznimin, Trepçën 89′, Ballkanin dhe gjithashtu ekipin përfaqësues të Kosovës.

Postimi pa ndërhyrje i Robert Gjerajt

Të dashur miq,

Përmes këtij postimi dua t’iu njoftoj se nga sot kam marrë vendimin që të pensionohem nga futbolli aktiv në moshën 39 vjeçare. Nuk ishte aspak e lehtë ta marrë këtë vendim pas 22 vitesh të mrekullueshme në sportin e futbollit, ku fitova gjithçka dhe shijova çdo moment në fushat e blerta të vendit tonë. Është e vështirë të shprehem pasi po largohem nga fusha e blertë pas më shumë se dy dekadave, andaj fjalët s’mund të përshkruajnë emocionet që kam sot. Po largohem, pasi arrita qëllimin tim me ekipin e zemrës dhe vendlindjes, andaj kjo më bën të lumtur.

Personalisht dhe me shumë sinqeritet dua t’i falënderojë të gjithë drejtuesit, bashkëlojtarët, trajnerët e tifozët që më ndihmuan shumë gjatë këtij rrugëtimi tim shumëvjeçar. Falënderoj Shkollën e Futbollit Shkëndija nga Prizreni, KF Lirinë, KF Getoari, KF Besa, KF Vëllaznimin, Trepçën 89′, Ballkanin dhe gjithashtu kombëtaren e Kosovës. Ishte kënaqësi të kontribuojë në klubet tuaja dhe për shtetin tim, teksa ju falënderojë për çdo gjë që keni bërë për mua. Poashtu dua t’i falënderojë edhe gazetarët dhe mediat Kosovare e Shqiptare  që më përcollën në çdo hap deri më sot, pasi pa ju nuk mund të isha ky që jam sot.

Ju faleminderit të gjithëve, i juaji, Robert Gjeraj!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme