Dënimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës, për t’i luajtur dy ndeshje si pritës pa tifozë, për shkak të asaj parulle, që nxehu jo pak gjakra (1 grek më pak, një bastard më pak), ka shkaktuar reagimin e fortë të klubit të kuq. Përmes një deklarate për shtyp, drejtuesit e Partizanit i bëjnë me dije opinionit publik:
“F.K. Partizani, pasi është njohur me vendimin e Komisionit të Disiplines pranë FSHF-së, i cili e ka dënuar klubin tonë me zhvillimin e dy ndeshjeve pa tifozë, kërkon të informojë mbarë opinionin publik shqiptar dhe më gjerë…, se kjo është një maskaradë me shumë ngjyrime të shëmtuara.
Klubi i Partizanit, jo vetëm që reagoi menjëherë në stadium për të larguar një paçavure, shkruar keq nga disa rrugaçë, që nuk kanë lidhje me tifozërinë tonë, por ishte i pari që u distancua publikisht nga kjo rreckë, e cila çuditërisht u bë shumë e famshme ditët që pasuan, dhe kjo jo vetëm në opinionin sportiv.
Klubi i Partizanit nuk ka bërë rolin e sehirxhiut, por shumë shpejt do të zbulojë dhe identifikojë autorët e vërtetë të këtij akti, që nuk ka lidhje me sjelljen tonë, si për rivalët sportivë, ashtu edhe për fqinjët tanë politikë dhe gjeografikë.
Ky është klubi që ka bërë bashkë çdo lojtar, pa bërë dallim prejardhjen dhe origjinën e tyre, që prej minoritarëve grekë, që kanë shkruar historinë e lavdishme të Partizanit e deri te sezonet e fundit, ku shqiptarët e Kosovës, apo Maqedonisë e ndanin dhomën me lojtarët që vinin nga Serbia. E pra, klubi Partizani nuk mund të dënohet kurrë për racizëm…
Zotërinj të nderuar të Komisionit të Disiplinës, që jeni mbledhur me urgjencë për të dhënë kartonin e kuq të paralajmëruar, po bëni një gabim të madh që shpallni fajtor klubin “Partizani” për të ushqyer një politikë të mbrapshtë dhe dashakeqe, që nuk ka asnjë lidhje me sportin dhe misionin e tij, për të bashkuar dhe kurrë për të ndarë. Po ndërmerrni një dënim kolektiv për një veper të disa personave, që më së paku nuk kanë lidhje me klubin dhe tifozërinë tonë, për të mos aluduar për skenarë të tjerë dashakeq…
Pranojmë absolutisht çdo penalizim dhe dënim që vjen konform rregullores së kësaj loje dhe kodit të disiplinës sportive, për objekte të hedhura dhe të pahedhura, por kurrë nuk pranojmë të dënohemi kolektivisht për racizëm, ndërkohë që po luajmë në një stadium pa kamera sigurie, por të liçencuar verbërisht nga institucioni që merret me mbarëvajtjen e kësaj loje. Ky nuk duhet të ishte një vendim për të kaluar radhën nga komisioni i (pa)varur, që i paska “alergji” tifozët në stadiumet shqiptare, duke penalizuar “zellshëm” e kolektivisht një klub dhe një tifozëri të tërë.
Përkundrazi, duhet të ishte një moment reflektimi, që ngjarje të këtij lloji, vepra individësh të papërgjegjshëm të marrin dënimin e merituar, madje jo vetëm sportiv, por edhe penal. E theksojmë se nuk mund të pranojmë të marrim përgjegjësi për veprimin e një apo dy individëve të papërgjegjshëm, që kurrsesi nuk përfaqësojnë Partizanin… Si mundet të ngarkohemi me përgjegjësi e për më tepër të dënohet një tifozëri e tërë, kur kriteret e sigurisë në këte impiant sportiv as nuk plotësohen e as nuk kontrollohen.
Si mundet të ngarkohemi me përgjegjësi për mungesë organizimi në një stadium të liçensuar pa kontroll nga FSHF-ja, ku fort mirë dihet se nuk ka sistem kamerash, sipas standarteve për identifikimin dhe skedimin e personave, që s’kanë lidhje me tifozërinë dhe vijnë në stadium vetëm për të shkaktuar probleme?!
Duke e përgëzuar FSHF-në për mbajtjen e një linje me klubin tonë rreth distancimit ndaj incidentit të banerit, ju bëjmë me dije se ky institucion është po aq përgjegjës, deri sa lejon dhe liçenson stadiume të tilla, të cilat mesa duket do mbeten bosh…”
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...