Para ndeshjes me Spanjën, Italia në telashe

11:12 | 4 Tetor 2021
Arbresh.info

Italia ka nisur mbrëmjen e djeshme me grumbullimin për fazën finale të Ligës së Kombeve, pasi do të përballet me Spanjën të mërkurën në mbrëmje në “San Siro”, megjithatë trajneri Roberto Mancini nuk mund të jetë aspak i qetë.

Fillimisht “të kaltrit” humbën sulmuesin titullar Ciro Immobile, i cili u dëmtua në sfidën e Europa League ndaj Lokomotivës së Moskës të enjten në mbrëmje dhe trajneri thirri për ta zëvendësuar, Moise Kean nga Juventusi, shkruan E.O.

Mbrëmjen e djeshme është dëmtuar gjithashtu edhe Matteo Pessina, mesfushori 24-vjeçar i Atalantës, që gjatë Europianit nuk ishte një titullar, por pati rezultuar shpesh vendimtar me aktivizimin e tij nga pankina.

Edhe Pessina nuk do të jetë në dispozicion për kombëtaren italiane, ndërsa trajneri Roberto Mancini po mendon se me cilin do ta zëvendësojë 24-vjeçarin dhe favorit për momentin është mesfushori i Milanit, Sandro Tonali, që po bën mjaft mirë në këtë fillim sezoni.

Lista paraprake e Mancinit kishte në përbërje të gjithë kampionët e Europës, me përjashtim të Spinazzolës së dëmtuar, që u zëvendësua nga kapiteni i Romës, Pellegrini.

Itali-Spanjë do të luhet të mërkurën në orën 20:45 në mitikun “San Siro” dhe skuadra fituese do të kualifikohet për në finale, ku do të përballet me fituesen e çiftit Belgjikë-Francë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme