Paqe mes Olympiacos e Wolves, fitojnë Bayer Leverkusen e Shakhtar Donetsk

22:56 | 12 Mars 2020
Arbresh Info

Kanë përfunduar tri ndeshjet e para në kuadër të 1/16 e Evropa Ligës.

Derbi mes Olympiacos Piraeus dhe Wolves ka përfunduar me rezultat të barabartë 1 – 1, shkruan portali arbresh.info.

Në pjesën e parë vendasit ishin shumë më të rrezikshëm, por assesi nuk ia dolën t’i konkretizojnë rastet.

Kurse, në pjesën e dytë në minutën e 54-të El Arabi zhbllokoi rezultatin, ndërsa mysafirët barazuan shifrat në minutën e 67-të përmes Netos, rezultat me të cilin përfundoi ndeshja.

Ndeshje tjetër shumë interesante ishte mes Rangers të Florian Kamberit dhe Bayer Leverkusen, ndeshje të cilën e fituan mysafirët me rezultat 1 – 3.

Kamberi në fillim të ndeshjes ishte në stol ndërsa në lojë hyri në minutën e 54-të dhe bëri lojë mjaftë të bukur për 36 minuta, por nuk arriti të shënoi në portën e kundërshtarëve.

Ylli i Leverkusen, Kai Havertz në minutën e 37-të nga pika e bardhë ndryshoi rezultatin, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Kurse në pjesën e dytë ishte Aranguiz që në minutën e 67-të dyfishoi rezultatin, kurse golin e nderit për vendasit e shënoi Edmundson në minutën e 75-të, ndërsa fitoren e mysafirëve e vulosi Bailey në minutën e 88-të.

Nga ana tjetër, Wolfsburg ka pësuar humbje në shtëpi nga Shakhtar Donetsk, përballje që përfundoi me rezultat 1 – 2.

Moares në minutën e 17-të i dha epërsinë mysafirëve, kurse si vendasit ashtu edhe mysafirët gjatë pjesës së parë nuk ia dolën të shënojnë nga penalltia, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Në 45-minutëshin e dytë ishte Brooks që në minutën e 48-të barazoi shifrat, ndërsa fitoren e mysafirëve e vulosi Antonio në minutën e 73-të./arbresh.info.

Të ngjashme