Po përjeton kulmin e karrierës së tij si drejtues, megjithatë, natyrshëm, Paolo Maldini nuk është nga ata që kënaqet lehtë. I ndodhte si futbollist dhe kapi majat e të njëjtën gjë po kërkon të bëjë edhe në rolin e ri të cilin i ka besuar Milani i tij.
Në një intervistë për rrjetin “DAZN”, legjenda kuqezi ka folur për momentin personal, por sidomos atë ekipor dhe shumë aspekte të tjera rreth klubit ku ka kaluar shumicën e jetës.
Mund të na thoni se si po përjetoni rolin e ri?
Mendoj se jam përgatitur për këtë rol në nëntë vitet që pasuan largimin tim nga futbolli i luajtur. U mundova ta marr jetën time përsëri në dorë duke ndjekur gjëra që i kisha lënë pas dore, siç ishin familja, fëmijët që i ndoqa në rrugëtimet shkollore e futbollistike, miqtë, madje edhe gruan.
Siç thashë, këto vite për mua ishin një rikthim në normalitet. Si ndodhi rikthimi në klubin e zemrës?
Siç thashë, qëndrova larg futbollit, por Milanin e kam ndjekur gjithmonë. Nuk isha gati, por një ditë më telefonoi Leonardo e më kërkoi që ta shoqëroja në aventurën e tij. E pata të lehtë të përgjigjesha pozitivisht. Edhe kur në klub ishin Fasone e Mirabeli m’u dha kjo mundësi, por nuk ramë dakord mbi disa aspekte. Madje, po ju zbuloj se edhe Barbara Berluskoni më kishte kërkuar pranë kur nisi të administronte klubin.
Shumë oferta. Po nga jashtë Italisë, ju kanë kontaktuar?
I kam paraprirë të gjithë duke vendosur Milanin si mundësi të vetme. Po ju them vetëm që Leonardo më pati kërkuar edhe te PSG, por për mua ka vetëm dy ngjyra: e kuqja dhe e zeza.
Danieli, djali juaj, është në skuadër. Sa ndikoni tek ai?
Të kesh babain nëpër këmbë nuk është diçka e bukur sepse e kam provuar në kurriz dhe e di mirë (qesh). Momenti më i shëmtuar është kur kthehesh në shtëpi dhe merr qortimet për atë që mund të kishe bërë më shumë në ndeshje. Këtë e kam provuar edhe unë, siç po e provon edhe Danieli i cili ka fatin që luan në një rol ndryshe nga ai që mbuloja unë dikur. Djali i madh, Kristiani, që luan mbrojtës, ka vuajtur edhe më shumë.
Vijmë në të tashmen. Si i zgjidhni futbollistët?
Pikësëpari duhet të dini se asnjë drejtues nuk ka mundësi t’i ndjektë të gjitha profilet duke parë çdo ndeshje. Për këtë nevojitet një grup zbuluesish i cili punon në drejtimin që i kërkohet. Diskutimi zhvillohet më gjerësisht dhe drejtuesi jep udhëzimet për karakteristikat ndërsa zbuluesit të zbulojnë detaje mbi ecurinë e një lojtari për sezonet e fundit. Siç kuptohet, në çdo aspekt ka futboll të revolucionarizuar nga kërkesat e kohës.
Sa ndikon trajneri në zgjedhjen për të afruar një lojtar të caktuar?
Roli i trajnerit është tejet i rëndësishëm sepse fundja është ai që ka idenë e lojës që do të propozojë. Ai e sheh skuadrën dhe i di nevojat, ndaj i kërkohet që të na udhëzojë me profilet që kërkon. Emrat më pas i vendos klubi pasi vlerëson edhe aspekte të tjera, përveç atij teknik, siç janë paga, mosha, dëmtimet dhe një vlerë e mundshme në të ardhmen.
Shkoni shpesh në stërvitjet e skuadrës?
Varet nga periudha. Kur jemi në kohë merkatoje, unë dhe Masara shkojmë 3-4 herë në javë në qendrën stërvitore ku flasim me trajnerin, madje edhe për aspektin teknik sepse ka disa gjëra që i dallon vetëm duke parë grupin në punën e përditshme.
Çfarë marrëdhëniesh keni me futbollistët e Milanit?
Mundohem t’i kuptoj, sidomos kur duhet të flas me ndonjërin sepse situata nuk është e ngjashme për të gjithë. Nëse me duhet t’i them se po luan keq, i afrohem me ndonjë këshillë për ta ndihmuar në ato që janë vështirësitë e tij. Nëse lidhet me sjelljen, atëherë nuk duhet toleruar askush, megjithatë mundohem të ndërtoj një dialog të shëndetshëm me të gjithë.
Për këtë ju ndihmojnë Kjaer me Ibrën si më të vjetrit e ekipit?
Ata kanë pasur rendiment të jashtëzakonshëm. Mund të kishim afruar lojtarë edhe më të rinj që nuk luanin shumë në klubet e tyre, megjithatë është e vështirë të gjesh dikë me karakterin e Ibrës apo Kjaerit.
E kishit mbështetjen e klubit për këdo dy afrime?
Sigurisht, gjithmonë e kemi pasur. Nuk i lejojmë dot vetes të nënshkruajmë me futbollistë që nuk njihen apo nuk aprovohen nga pronarët. Ibra dhe Kjaer erdhën me miratim të plotë duke u shndërruar në dy pika referimi brenda një grupi ambicioz.
Cilët kanë qenë liderët e Milanit në vitet e fundit?
Edhe në momentet më kritike Milani nuk ka vuajtur për liderë. Lojtarë si Bilia apo Reina kanë ndihmuar në rritjen e të rinjve, por duke qenë se nuk luanin shumë preferuan të largoheshin diku tjetër.
Ibra apo Van Basten?
Dy superkampionë, por mos më kërkoni të bëj renditje. Te Milani im Barezi dhe Van Basteni ishin ata që kishin diçka më tepër se ne të tjerët, por ja që Markos iu desh të ndalej në momentin më të bukur. Për atë që po tregon në fushë edhe Ibra i përket atij niveli. Duhet të jesh kampion në gjithçka, në mënyrë që të gjithë të të njohin si të tillë.
Gjykimi juaj për të rinjtë e Milanit?
Fillimisht duhet të them se nuk më ka zhgënjyer asnjëri. Duarte nuk ka pasur fat sepse është dëmtuar shpesh. Talentin e Leaos e kemi parë të gjithë, ndaj mendoj se mund të arrijë nivele shumë të larta, ndërsa Benaseri po tregon personalitet të madh. Selemekers gjithashtu ka një dinamizëm të tillë që vrapon pa fund.
Cili është objektivi sezonal atëherë?
Kemi vite pa Champions dhe kjo nuk mund të pranohet për historinë që ka vetë Milani. Plani ynë është që të jemi pjesë konstante e një kompeticioni që garanton të ardhura të rëndësishme. Projekti ynë ka një linjë të qartë vetëfinancimi, ndaj kam besim se do të na japë të drejtë, shkruan PanoramaSport.
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor
LDK thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja
2 Korriku njofton se ka përfunduar marrëveshja me akademinë ...
Aksidenti në rrugën Pejë-Prishtinë, 22 persona marrin trajti...
Casado për Pedrin: Ai është një nga më të mirët në pozicioni...