Oezil do të fotografohej prapë me Erdoganin

15:24 | 23 Korrik 2018
Arbresh.info

Mesfushori i Përfaqësueses së Gjermanisë, Mesut Oezil, nuk është pishman për fotografinë e tij kontroverse me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan që nxiti reagime të mëdha në prag të botërorit “Rusia 2018” rreth besnikërisë së tij ndaj vendit ku është lindur. Madje, thotë se do të fotografohej prapë me të, pasi nuk ka asgjë të keqe.

Oezil ka thyer heshtjen te dielën nëpërmjet një komunikate që e ka postuar në rrjetin social Twitter, shkruan “The Telegraph”. Ai ka thënë se është besnik ndaj origjinës së tij, si turke ashtu edhe gjermane, duke insistuar se fotografia me Erdoganin nuk ishte për qëllime politike, por tregoi për respektin e ndërsjellë.

Oezil është me origjinë turke i lindur në Gjermani.

“Ashtu si shumë njerëz, origjina ime vjen më shumë se prej një vendi. Derisa unë u rrita në Gjermani, prejardhja ime familjare i ka rrënjët e saj me bazë në Turqi. Unë i kam dy zemra, një gjermane dhe një turke”, ka thënë Oezil në komunikatë.

Oezil ka zbuluar se për herë të parë e ka takuar Erdoganin në vitin 2010, pasi presidenti turk dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e kanë përcjellë së bashku përballjen Gjermani – Turqi.

“Prej asaj kohe, jemi takuar disa herë, pasi shtigjet tona na kanë dërguar në të gjithë globin. Unë jam i vetëdijshëm se fotografia jonë ka shkaktuar reagime të mëdha në mediumet gjermane, kurse disa njerëz mund të më akuzojnë për gënjeshtra apo mashtrime, por fotografia që e kemi bërë nuk ka të bëjë fare më ndonjë qëllim politik”, ka vazhduar komunikata…

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme